Dita e 9-të e protestës/ Protestuesit përmbysin karriget e dialogut, mblidhen sërish para Kryeministrisë

Protesta e studentëve vijon për të nëntën ditë radhazi, ndërsa në tubim janë bashkuar edhe pedagogë nga universitetet e vendit. Protestuesit janë vendosur sërish para Kryeministrisë.
Protesta nisi rreth orës 10:00 para Kryeministrisë, ku pjesëmarrësit më pas u vendosën para Ministrisë së Arsimit. Aktualisht ata janë mbledhur sërish para Kryeministrisë, ndërsa situata ka qenë e qetë pa tensione.
Gazetarja Rugova Dunisha raporton nga terreni se protesta para Ministrisë së Arsimit ka vijuar e qetë, pa tensione e përplasje mes protestuesve e forcave të policisë. Po ashtu, ajo thekson se nga ana e protestuesve nuk ka pasur tentativa për hedhje të sendeve të forta kundrejt institucionit, teksa në duar mbajnë pankarta me kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Rama. Ndërkohë efektivët e policisë janë pozicionuar para Ministrisë së Arsimit, me qëllim mbarëvajtjen e protestës, teksa kanë formuar edhe kordon sigurie.
“Protesta ka vijuar e qetë, pa incidente. Ka një numër të konsiderueshëm qytetarësh që i janë bashkuar kësaj proteste. Nuk janë vetëm studentë, por pedagogë, të rinj e të moshuar që i janë bashkuar protestës së sotme. Situata këtu është e qetë, sikundër ishte dhe protesta pak më herët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pranë Kryeministrisë ku u bahskuan fillimisht protestuesit për të vazhduar marshimin drejt Ministrisë”, deklaroi Rugova.
Protesta para Kryeministrisë, studentët përmbysin karriget e dialogut, refuzojnë ftesën e Ramës
Protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë kanë përmbysur karriget që kryeministri Edi Rama vendosi këtë mëngjes si shenjë të gatishmërisë për dialog, duke këmbëngulur në kërkesën për dorëheqjen e kreut të qeverisë.
Përmbysja e karrigeve ka tensionuar situatën para godinës së Kryeministrisë, ndërsa në vendngjarje ka ndërhyrë edhe policia për qetësimin e situatës. Studentët kanë refuzuar kështu ftesën për dialog, duke vijuar qëndrimin e tyre për plotësimin e kërkesave.
Pak më herët, pedagogët dolën në protestë në mbështetje të studentëve dhe nxënësve, përpara Universitetit Politeknik të Tiranës.
Përfaqësuesit e sindikatës kanë njoftuar gjithashtu bojkotimin e mësimit, si reagim ndaj situatës së krijuar dhe pretendimeve për dhunë ndaj studentëve dhe protestuesve.
Gjatë një prononcimi për mediat, kreu i SPUSH-it, Sandër Kovaçi, deklaroi se vendimi për bojkot ishte marrë nga kryesia e sindikatës në mbledhjen e zhvilluar më 20 tetor, në sheshin ku po protestojnë studentët.
Sipas Kovaçit, bojkoti ka nisur këtë të mërkurë dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë.
/rtsh.al/