Dita e Maleve të Pastra, aktivistët apel për mbrojtjen e pasurisë natyrore

20 gushti shënon Ditën Ndërkombëtare të Maleve të Pastra, një nisëm që synon sensibilizimin për ruajtjen e ekosistemeve malore dhe mbajtjen e tyre larg ndotjes. Në Shkodër, kjo ditë merr një vlerë të veçantë falë pasurisë së Alpeve dhe potencialit të madh turistik që ato ofrojnë.
Aktivistja, Nermin Shurdha, e pasionuar pas eksplorimit të maleve dhe markimit të shtigjeve, vë në dukje veçantinë e Alpeve Shqiptare.
“Kemi dy lugina shumë të bukura, ajo e Thethit dhe ajo e Kelmendit. Janë të dyja paralele të bukura, por me bukuri të ndryshme. Thethi është pak më i vrazhdë që kërkon sfida, ndërsa Kelmendi pak më i butë, për ata që kërkojnë të kënaqin sytë, ka shtigje të bukura. Janë të dyja lugina që i kemi afër dhe duhen të frekuentohen, sidomos Shkodra që i ka në derë të shtëpisë”, tha Shurdha.
Pas këtij vlerësimi, ajo nënvizon edhe nevojën për ndërgjegjësim më të madh në ruajtjen e mjedisit.
“Shqipëria po afron shumë turistë, mos ta penalizojmë vendin, sepse turisti kur sheh mbeturina është i detyruar t’i marrë e ti çojë poshtë. Sinqerisht është koha e duhur për të lobuar për pastërtinë e ambientit”, tha ajo
Mijëra vizitorë tërhiqen çdo vit nga bukuritë e Alpeve Shqiptare, të cilat janë shndërruar në një prej destinacioneve më të pëlqyera të turizmit malor në rajon, duke dëshmuar se natyra e paprekur mbetet një pasuri me vlerë të jashtëzakonshme për Shqipërinë.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/