Dita e Shkopit të Bardhë – Shoqata e të Verbërve në Durrës, protestë para Bashkisë

Në ditën e “Shkopit të bardhë”, që i kushtohet ndërgjegjësimit për personat e verbër, në Durrës u zhvillua një protestë paqësore përpara Bashkisë nga anëtarë të shoqatave që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara të shikimit. Pjesëmarrësit kërkuan më shumë mbështetje institucionale, qasje më të mirë në hapësirat publike, dhe zbatim të plotë të të drejtave të tyre, të garantuara me ligj.
“Nuk është rritur indeksimi i pagave, ende vazhdojmë të jemi pagesa shumë të ulëta”, u shpreh Saimir Farrici, president i shoqatës “Shpresë për të Verbëritë”.
“Në institucione duhet të jetë shkrimi braj apo shkronja të tjera që të verbëritë të dinë se cila zyrë është. Qoftë në klinik, qoftë në Bashki apo në Pallatin e Kulturës”, u shpreh Jonuz Meta, Kryetar i shoqatës së të verbërve, Durrës.
Shoqata e të verbërve në Durrës numëron 305 anëtarë. Çdo 15 tetor zëri i tyre ngrihet jo vetëm për ndërgjegjësim shoqëror, por edhe institucional që do të mundësonte integrimin më të mirë dhe mundësi të barabarta për arsimim dhe punësim.
/rtsh.al/