E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Dita e dytë e Samitit të NATO-s/ Anëtarët e G7 do të shpallin paketën afatgjatë të sigurisë në Ukrainë

Anëtarët e G7 pritet të ratifikojnë këtë të mërkurë (12 korrik) në samitin e NATO-s, një marrëveshje afatgjatë të sigurisë me Ukrainën, që do të përfshijë pajisjet e mbrojtjes, trajnimin dhe shkëmbimin e inteligjencës.

Kryeministri britanik Rishi Sunak deklaroi se marrëveshja do t’i dërgonte një “sinjal të fortë” presidentit rus Putin. Sunak tha se aleatët e Kievit po rritin “marrëveshjet e tyre formale për të mbrojtur Ukrainën për një afat të gjatë”.

“Ne nuk mund të shohim kurrë një përsëritje të asaj që ka ndodhur në Ukrainë dhe kjo deklaratë rikonfirmon angazhimin tonë për të siguruar që ajo të mos lihet kurrë e cenueshme ndaj llojit të brutalitetit që Rusia ka shkaktuar përsëri ndaj saj. Mbështetja e rrugës së Kievit drejt anëtarësimit në NATO, si dhe marrëveshjet formale, shumëpalëshe dhe dypalëshe nga anëtarët e NATO-s do t’i dërgojnë një mesazh të qartë presidentit rus dhe do të kthejnë paqen në Evropë” tha ai.

Numri 10 tha se Mbretëria e Bashkuar kishte luajtur një rol udhëheqës në marrëveshjen që përfshin partnerët e G7, Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Japoni dhe SHBA. Më shumë detaje priten të mërkurën.

Presidenti i SHBA Joe Biden sugjeroi më herët një model për Ukrainën të ngjashëm me marrëveshjen e vendit të tij me Izraelin. Sipas kësaj marrëveshjeje, Uashingtoni është zotuar të ofrojë 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake në vit gjatë një dekade.

Njoftimi i G7 vjen pasi NATO tha se Ukraina mund t’i bashkohet aleancës ushtarake kur aleatët të bien dakord dhe të plotësohen kushtet, një vonesë të cilën presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka quajtur “absurde”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›