Dita e pestë e rinumërimit në Tiranë, zbulohet numër i madh votash të pamerituara

Procesi i rinumërimit të votave në Qarkun Tiranë ka hyrë në ditën e pestë. Deri tani janë hapur 510 nga 1,282 kuti. Sipas të dhënave të KQZ-së, disa parti dhe kandidatë rezultojnë me vota të pamerituara nga numërimi i parë.
PD humbet 273 vota, PS 201, ndërsa partive më të vogla si Nisma “Shqipëria Bëhet”, PSD dhe Lëvizja Bashkë u janë zbritur gjithashtu dhjetëra vota. Ndërkohë, koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës dhe atij të Enkelejd Alibeajt u janë shtuar disa vota.
Nga kandidatët, Ilir Alimehmeti humbet 78 vota, Jorida Tabaku 70, Ilir Meta 32, ndërsa në PS, ministri Ervin Hoxha humbet 221 vota, Xhemal Qefalia 132 dhe Fatmir Xhafaj 104.
Ndërkohë, pas përplasjeve me KAS dhe akuzave për “vjedhje votash”, deputeti i PD-së Asllan Dogjani është përjashtuar nga qendra e rinumërimit në “Farie Hoti”. Sipas KAS-it, Dogjani ka shkelur rregullat dhe ka pasur sjellje të papranueshme ndaj numëruesve. Policia ka zbatuar urdhrin duke e larguar nga ambientet e numërimit.
/rtsh.al/