Dita kundër Dhunës së Grave/ Janar-nëntor, 6 humbje jete, 3 mijë denoncime, 532 të arrestuar

25 nëntori është dita ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, ku në Shqipëri situata vijon të jetë problematike, ku statistikat flasin se 6 gra humbën jetën nga dhuna vetëm në këtë 10 mujor.
Ndonëse në krahasim me një vit më parë ky numër është përgjysmuar, ku gjatë vitit 2019 humbën jetën 14 gra në gjithë vendin, këtë 10 mujor vërehet edhe një rritje e numrit të denoncimeve.
Konkretisht, sipas të dhënave të grumbulluara, në komisariatet e policisë në vend janë regjistruar 2980 denoncime, por vetëm 532 dhunues kanë përfunduar nën pranga, duke u arrestuar nga policia.
Vetëm pak ditë më parë, kanë hyrë në fuqi edhe ndryshimet e fundit të ligjit për dhunën në familje, ku vendi ynë ashpërsoi dënimet për burrat dhunues.
Me hyrjen në fuqi të masave të reja, parashikohet që burri dhunues të dëbohet menjëherë nga shtëpia, pa pritur një vendim Gjykate, por i takon Policisë së Shtetit.
Në kuadër të kësaj dite, në të cilën nis edhe fushata e 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, Policia e Shtetit, si një ndër institucionet kryesore për parandalimin e dhunës dhe marrjen në mbrojte të personave të dhunuar, apelon për të gjithë qytetarët që të denoncojnë çdo rast dhune në Policinë e Shtetit, në numrin pa pagesë 112 apo në Komisariatin Dixhital.