E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ditë Zie Kombëtare, regjisori Anagnosti përkujtohet me një kolazh nga filmat e tij

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, kujtoi edhe një herë se sot, 2 shtator 2025, është Ditë Zie Kombëtare.

Në nderim të të ndjerit Dhimitër Anagnosti, personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare, mjeshtër i ekranit dhe i artit skenik, i cili la pas një trashëgimi të çmuar kulturore për brezat, ministri Gonxhja, publikoi një kolazh me pjesë nga filmat më të vlerësuar nga publiku të regjisorit Anagnosti.

Dhimitër Anagnosti ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare. Ai lindi në fshatin Vuno, Himarë, më 23 janar të vitit 1936. Kreu shkëlqyeshëm gjimnazin “Ali Demi”, Vlorë. Studimet e larta i kreu me nota të shkëlqyera në Institutin Kinematografik VGIK të Moskës, ku u diplomua për kinooperator. Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.

Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”. Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. Anagnosti është njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajo qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar.

Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Në 12 pril 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen.

Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë. Në vitin 2001 shkroi dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›