E Diel, 1 Nëntor 2026

Divjakë, festonte ditëlindjen me shokët, vijojnë kërkimet për 25-vjecarin e mbytur

DIVJAKË- Ende nuk është gjendur trupi i 25-vjecarit nga qyteti i Elbasanit, i cili u mbyt ditën e djeshme në plazhin e Divjakës.

Klodian Skënderi ditëlindjen e tij ka preferuar ta festojë së bashku me dy shokët në plazhin e Divjakës, por për 25- vjecarin ka qenë fatale. I riu pasi ka drekuar me dy shokët e tij, janë futur në det dhe si pasojë e detit të trazuar ai është mbytur.

Që prej ditës së djeshme, familjarë dhe forca të shumta policie kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupit të tij, por edhe ditën e sotme nuk është bërë e mundur gjetja e trupit te 25-vjecarit.

Mëngjesin e sotëm në vendngjarje kanë mbërritur dhe skuadra e polumbarëve, të cilet kanë vijuar kërkimet për 3 orë në vendin e ngjarjes, por dhe këta të fundit nuk kanë mundur të gjejnë trupin e 25- vjecarit.

Në një komunikim për News24 e ëma e viktimës ka kërkuar ndihmë nga shteti për vazhdimin e kërkimeve nga ana e polumbarëve për gjetjen e trupit të djalit të saj.

(e.m/agron llupi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›