Dje, Kryeministri Berisha mori pjesë në Samitin e Partisë Popullore Europiane, zhvilluar në Bruksel. Samiti kishte si axhendë përgatitjen për Samitin e krerëve të shteteve dhe të qeveriv
Dje, Kryeministri Berisha mori pjesë në Samitin e Partisë Popullore Europiane, zhvilluar në Bruksel.
Samiti kishte si axhendë përgatitjen për Samitin e krerëve të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Europian, i cili mbahet në 14-15 dhjetor në Bruksel. Gjatë takimit, krerët e qeverive diskutuan për tema që kanë të bëjnë me zgjerimin e Bashkimit Euroipan, marrëdhëniet e jashtme, çështje të energjisë, etj.
Në këtë samit, mori fjalën edhe Kryeministri Berisha, i cili, duke folur për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, theksoi faktin që ky proces gëzon mbështetjen e plotë të mëse 92 përqind të qytetarëve shqiptarë, si një projekt madhor kombëtar.
Në takim, krerët e qeverive të vendeve anëtare të Partive Popullore, si dhe pjesëmarrësit e tjerë, i shprehën Kryeministrit Berisha përkrahjen e qeverive të vendeve të tyre për perspektivën europiane të Shqipërisë.
Gjatë punimeve të Samitit, Kryeministri zhvilloi takime të shkurtra me pjesëmarrësit në Samit, si me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamenti Europian, Elmar Brock, me Kryeministrin e Greqisë, Kryeministrin e Luksenburgut, Kryeministrin e Suedisë, të Sllovenisë, tëÇekisë, të Bosnje-Hercegovinës, e të tjerë personalitete.
Duke iu përgjigjur interesimit të mediave shqiptare rreth punimeve të Samitit, Kryeministri Berisha bëri këto komente:
"Mendoj se Samiti ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për mesazhet që përcolli për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, në aspektin e zgjerimit. Unë mund të them se opinioni i Samitit është se, për këto vende, nuk ka perspektivë tjetër përveç asaj europiane dhe se, mbi bazën e realizimeve dhe arritjeve të standardeve, këto vende duhet te integrohen dhe do të integrohen ne Bashkimin Europian.
Mund të them se në këtë Samit kishte një frymë qartësisht më të favorshme për vendet e Ballkanit Perëndimor, kishte një qëndrim pozitiv për Kosovën. Kancelarja gjermane Angela Merkel theksoi se Bosnja, Kosova, vende në të cilat ne kemi shpalosur edhe trupat ushtarake për të garantuar paqen, nuk mund të kenë perspektivë tjetër përveçse asaj europiane.
Gjatë fjalës sime në Samit informova të pranishmit se, ndonëse opinionet në disa vende perëndimore për zgjerimin kanë rënë, në Shqipëri dëshira për t'u bashkuar me BE-në është rritur. 92 përqind e shqiptarëve, sipas një studimi të fundit, aspirojnë dhe ëndërrojnë të bashkohen me BE dhe kjo është më e larta se në ndonjë vend tjetër. Theksova se ky përbën një projekt ëndërr të një kombi që e ndjen veten se i pëket kësaj familjeje dhe se është i vendosur të bëjë çdo përpjekje dhe sakrificë për t'u integruar.
Në Samit u diskutuan çështje që lidhen me energjinë. Gjithashtu, u ndanë mendime të ndryshme lidhur me progresin e Turqisë drejt Bashkimit Europian, si dhe u diskutuan çështje të Kushtetutës.
Një vend të rëndësishëm në Samit zunë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, si Kosova, dhe integrimi i këtyre vendeve.
Gjatë samitit, unë shfrytëzova rastin të përshëndetem, të takohem dhe të bisedoj shkurtimisht me të gjithë të pranishmit, me Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel, të cilnë e ftova të vijë të inagurojmë së bashku Aeroportin e Tiranës, që po ndërtohet nga një kompani gjermane dhe që do të menaxhohet po nga kjo kompani për 30 vitet e ardhshme. Kancelarja më premtoi se do të shohë me shumë dëshirë axhendën e saj dhe nëse ka hapësirë, ajo do të vijë në ditën e inagurimit.
Takova të gjithë miqtë e mi, Kryeministrin e Greqisë, Kryeministrin e Luksenburgut. U përshndeta përzemërsisht dhe bisedova me Nicolas Sarkozy, që është një nga kandidatët kryesor për President i Republikës franceze, Kryeministrin e Suedisë, të Sllovenisë, tëÇekisë dhe të Bosnje-Hercegovinës, mikun tim Sanader.
Pata një bisedë me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamenti Europian, Elmar Brock, etj. Pra, këtu u takova me të gjithë të pranishmit dhe bisedova me ta për çështje me interes të përbashkët dhe mund të them se ishin takime të frytshme.
I pyetur nga gazetarët nëse ishte diskutuar në samit, shqetësimi në rritje i bashkimit Europian lidhur emigracionin e paligjshëm, kryeministri Berisha u shpreh:
"Po. Emigracioni ishte një shqetësim i ngritur në samit, emigracioni nga jugu dhe nga lindja. Mendimi i përgjithshëm ishte se emigracioni nga lindja nuk është një emigracion shqetësues, ndërsa emigracioni nga jugu është shqetësues. Por besoj se ju e kuptoni që emigracioni nga jugu vjen edhe nga shumë vende nga bregu tjetër i mesdheut. Në këtë pikë, Kryeministri i Maltës diskutoi gjerësisht mbi vështirësitë e mëdha që ka ky vend për ta përballuar këtë emigracion dhe për t'i rikthyer në vendet e tyre. Pra, kjo çështje u diskutua, por jo me një theks të veçantë. Sikundër, ka një vlerësim universal për punën e qeverisë shqiptare, për moratoriumin e skafeve dhe luftën me efikasitet të trafikut të paligjshëm .
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, nëse ishte diskutuar për çështjen e zgjedhjeve në Shqipëri, në takimet dypalëshe të Kryeministrit me persoonalitetet e pranishme ne samit, zoti Berisha bëri këto komente:
"Sigurisht që unë e kam trajtuar edhe këtë problem me disa prej tyre, problem të cilin ata nuk e kanë të panjohur, sepse habia e madhe është kërkesa e opozitës, gjashtë muaj para zhvillimit të zgjedhjeve, për të shtyrë zgjedhjet. Dhe ju i dini përcaktimet e institucioneve europiane që zgjedhjet të zhvillohen në afatet kushtetuese. Ky është mesazh i qartë.
Sikundër, ne jemi absolutisht të vendosur të votojmë në parlament të gjitha amendamentet e marrëveshjes së fundit të gushtit, 11 prej të cilave janë të kërkuara nga opozita dhe njëra prej tyre ka të bëjë me listat. Nuk mund të konceptohet, as nga bashkëbiseduesit e mi këtu në samit dhe nga asnjë njeri që, të marrësh përsipër, nëpërmjet listave, dhe t'u mohosh të drejtën e votitmit qytetarëve shqiptarë. Kjo është një sipërmarrje, do të thosha, nga më të paimagjinueshmet që një njeri merr pësipër, për faktin se atij ligji i ka dhënë listën në dorë dhe ai ta përdorë atë në mënyrë të atillë për të penguar qytetarët shqiptarë të votojnë.
Përveç, habisë për këtë, ka edhe thirrje që partitë të bashkëpunojnë për zgjedhjet, thirrje që kanë ardhur nga Brukseli, nga ministrat e jashtëm, nga Këshilli i Europës, thirrje që vjen nga të gjitha anët, në mënyrë që të bëjmë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për këtë ne jemi tërësisht të angazhuar. Unë, edhe nga këtu, e ftoj edhe njëherë zotin Rama që të reflektojë, sepse është e domosdoshme që të verë interesat e demokracisë shqiptare, të integrimit të vendit, mbi ato të karriges së tij personale. Nuk e di se cila do të jetë zgjedhja e tij, por jam i bindur se, Shqipëria do të ecë në rrugën e saj, pavarësisht nga vëshirësitë dhe pengesat që përpiqen t'i krijojnë".