Djegia e mbeturinave në Elbasan, reagon opozita

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ndau sot një video në rrjetet sociale ku shihet të digjen mbeturinat në ambient të hapur në Elbasan.
Basha shprehet se “megaafera me inceneratorët është një nga skandalet korruptive të qeverisë Rama që ka krijuar dëme të shumëfishta ndaj interesit publik dhe ka dëmtuar xhepat e qytetarëve më të varfër të Europës”.
Ai gjithashtu shprehet se zjarri po helmon qytetin e Elbasanit, ndërsa tymi toksik që duhet të ishte inceneratori i Elbasanit, po shkrumbon edhe njëherë propagandën e qeverisë më të korruptuar në Europë.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe deputetja e PD-së, Zhani Gjergji e cila u shpreh se “ndërkohë që kërkohen shkaqet e zjarrit ato janë aty para syve: mbeturinat që nuk i djeg incenerator, për të cilin taksapagueseve u janë grabitur miliona euro, i djeg zjarri i vënë me qëllim për të ulur malin e mbeturinave”.
“Partia Demokratike i kujton sot SPAK-ut edhe njëherë se këto janë pasojat e dënimeve selektive. Ne i bëjmë thirrje drejtësisë, jo të re, por të rilindur, që të kryejë funksionin e vet dhe t’i shkojë hetimeve deri në fund. Vetëm duke dënuar autorët, pronarët faktikë, shuhen zjarret në landfillin e Elbasanit dhe merr fund rreziku për shëndetin e qytetarëve”, dekaroi ajo.