E Diel, 1 Nëntor 2026

Djegia e pallatit në Tiranë, çfarë zgjidhje ligjore kanë banorët? Ja çfarë thotë avokati

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu këtë të martë një pallat 12-katësh, në një kompleks në afërsi të spitalit “Nënë Tereza”, pranë janë dhe konviktet e studentëve të mjekësisë dhe infermierisë.

Drejtori i urgjencës, Skënder Brataj, njoftoi se në spital ndodhen në total gjashtë persona, katër prej të cilëve zjarrfikës. Këta të fundit dhe një qytetar u transportuan tek toksikologjia, ndërsa një tjetër banore ka rezultuar me rreth 15% djegie.

Të gjithë janë në gjendje të stabiluar shëndetësore.

Por zjarri masiv la pas dëme të konsiderueshme materiale, të cilat kanë nevojë për zgjidhje.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, avokati Vladimir Skënderi tregon hapat ligjorë që mund dhe duhet të ndiqen pas kësaj ngjarje, shkruan faxweb.al.

Postimi i plotë:

Djegia e Pallatit në Tiranë, çfarë zgjidhje ligjore kanë banorët?

1)Edhe pse humbën banesat, secila familje është bashkëpronare e truallit nën pallat e anash tij. Kësisoj ato mund të kontraktojnë një ndërtues që të rindërtojë nga e para pallatin. Edhe pse pronësia mbi truallin mund të mos jetë shënuar në certifikatën e pronësisë së apartamentit, secili prej tyre sipas Kodit Civil është bashkëpronar i truallit, njëlloj sikurse është bashkëpronar i shkallëve, ashensorit, tarracës, etj. Pjesa takuese e truallit të secilit është në përpjesëtim me sipërfaqen e apartamentit apo dyqanit që ai zotëron. 

2) Më të mbrojtur janë ato që i kishin siguruar apartamentet e tyre, të cilët normalisht që do të çdëmtohen nga kompania siguruese për vlerën e plotë të apartamentit/dyqanit të djegur. Pavarësisht nga benefitet që ofron kontrata e sigurimit nga zjarret, tërmetet etj. unë nuk i mbështes ndryshimet ligjore për ti bërë këto kontrata të detyrueshme. Lidhja apo jo e një kontrate sigurimi duhet të bëhet me vullnetin e lirë të pronarit. Nqs bëhet me detyrim, atëhere nuk bëhet fjalë për kontratë. Kontrata nënkupton vullnetin e lirë të palëve për të kontraktuar dhe jo detyrimin nga shteti.

3)E rëndësishme është përcaktimi me ekspert i shkakut të zjarrit. Nëse shkaktar është shkëndija elektrike, luhatja e tensionit etj avokatët e familjarëve do të jenë në gjendje të adresojnë kërkimet e tyre ligjore.

4)Nëse Bashkia ka fonde rezervë mund të ndihmojë në lehtësimin e pasojave.

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, u shpreh banorëve solidaritetin për humbjen materiale që pësuan, dhe uroj të gjejnë forca për ta përballuar këtë humbje. E rëndësishme është që nuk patën humbje jetësh, se pasuria shkon dhe vjen!

Deri tani, dyshimet e para janë se flakët kanë nisur nga zona e parkimit, për të përfshirë më pas katet e sipërme. Theksojmë se ky informacion është paraprak dhe ende i pakonfirmuar nga autoritetet, të cilat vazhdojnë hetimet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›