E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Do ta asfiksojmë Ramën”, Berisha: Nuk do t’i bojkotojmë zgjedhjet

Një ditë pas protestës lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi para gazetarëve se ky është vetëm fillimi i mosbindjes civile. Nga banesa ku ndodhet i izoluar prej më shumë se 9 muajsh kryetari i PD theksoi se opozita do të vazhdojë betejën deri në largimin e kryeministrit Edi Rama

“Mbrëmë ishte aksioni i parë. Por mosbindja ka shumë forma. Kemi ngujime përpara. Kemi greva. Kemi bllokime permanente rrugësh. Kemi 77 mënyra për mosbindje civile që do asfiksojnë dhe paralizojnë narkoshtetin. Që do ta shkërmoqin narkodiktaturën”, tha Berisha.

Lideri i opozitës Berisha paralajmëroi shefin e qeverisë Rama ti hap rrugë qeverisë teknike, pasi opozita nuk tërhiqet

“Për Edi Ramën kam një thirrje: Opozita ka vetëm 1 javë në aksion. Me kaq ti, ke humbur parlamentin. Me kaq, institucionet e krimit, u dogjën nga flaka e revoltës… Reago sa je në kohë”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër Berisha e bëri të qartë se me qeveri teknike apo pa qeveri teknike opozita nuk do të bojkotoje zgjedhjet parlamentare

“Kurrë, ta harrojë kush se bojkotojmë zgjedhjet”, tha ai.

E ndërsa lideri  Berisha ishte në konference me gazetarët, sekretari i përgjithshëm Flamur Noka së bashku me drejtuesit politikë u mblodhën në seli për të diskutuar për rrugën dhe strategjinë e protestës së ardhshme. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›