E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Do të na përmbyten sërish shtëpitë”/ Banorët e Spitallës në protestë

Dhjetëra banorë të Spitallës kanë protestuar këtë të shtunë kundër Bashkisë së Durrësit, duke kërkuar përfundimin e punimeve për kolektorin e ujërave të shiut.

Me afrimin e vjeshtës, banorët shprehen të shqetësuar se reshjet mund të rikthejnë përmbytjet në banesat e tyre.

Projekti është parashikuar për të mbledhur ujërat që zbresin nga kodrat dhe për t’i larguar ato nga zona e banuar, ku gjatë periudhës së reshjeve shkaktohen përmbytje.

Punimet nisën rreth një vit e gjysmë më parë, por u ndërprenë në momentin kur tubacioni duhej të vijonte në kanalin përgjatë rrugës.

Banorët thonë se kanë marrë premtime nga Bashkia e Durrësit se ndërhyrja do të vazhdonte, por deri tani punimet nuk kanë rifilluar.

“Dimri po vjen dhe ne kemi frikë se do të përmbytemi përsëri”, shprehen banorët, duke kërkuar që kolektori të përfundojë para nisjes së reshjeve.

Në Lagjen nr. 15, pas viteve ’90 janë vendosur rreth 400 familje.

Përveç problemit të përmbytjeve, banorët kërkojnë edhe më shumë hapësira për fëmijët, pasi në zonë mungojnë këndet sportive dhe ato të argëtimit.

Një tjetër shqetësim lidhet me rrugën e asfaltuar në zonë. Sipas banorëve, rruga ka pësuar deformime pa kaluar ende një vit nga përfundimi i punimeve, çka sipas tyre ngre pikëpyetje për cilësinë e ndërhyrjes.

Protestuesit kërkojnë ndërhyrje konkrete dhe përfundimin e kolektorit përpara se reshjet e vjeshtës dhe dimrit të rikthejnë problemet e viteve të mëparshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›