E Diel, 1 Nëntor 2026

“Do të vrasim”/ Kërcënohet presidenti i Lacios. Manovrat e rrezikshme të biznesmenit dhe grupit lobues

Një “stuhi” ligjore e financiare ka shpërthyer në Itali rreth pronësisë së klubit të futbollit Lazio. Prokuroria e Romës ka urdhëruar kontrolle të imtësishme në banesat dhe zyrat e disa personave mjaft me ndikim, në kuadër të një hetimi që lidhet me kërcënime të rënda dhe manovra ilegale kundër presidentit të klubit, Claudio Lotito.

Në qendër të këtij hetimi është Luigi Bisignani, një nga figurat më të përfolura të prapaskenave politike e financiare në Itali. Përveç tij, nën hetim janë edhe emra të tjerë të njohur si Mauro Masi, ish-drejtues i lartë i televizionit publik RAI dhe eksperti i financave Francesco Maiolini.

Përveç kontrolleve fizike, autoritetet kanë sekuestruar telefonë, kompjuterë dhe dokumente sekrete për të zbardhur komunikimet mes tyre.

Hetuesit dyshojnë se ky grup personash ka orkestruar një plan të strukturuar për të detyruar Claudio Lotiton të largohet nga drejtimi i Lazios. Veç kërcënimeve direkte me jetë ndaj tij dhe familjes së tij, dyshohet se është përdorur edhe presioni mediatik e financiar për të nxitur protesta mes tifozëve dhe për të penguar projektet biznesore të klubit.

Qëllimi kryesor i këtij plani ishte ulja artificiale e vlerës së aksioneve të Lazios në bursë, duke e sjellë presidentin në kushte ku dorëzimi dhe shitja e klubit te investitorë të tjerë do të ishte e pashmangshme.

Prokuroria po e trajton çështjen me akuza të rënda që përfshijnë manipulimin e tregut financiar dhe shtrëngimin me anë të kanosjes. Hetimet po vijojnë për të zbuluar të gjithë personat e përfshirë në këtë rrjet presioni.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›