E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dodik i hiqet pasaporta diplomatike, humb mandatin dhe ndalohet nga politika për 6 vite

Ish-presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, i është hequr pasaporta diplomatike. Vendimi është marrë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjë dhe Hercegovinës, dhe Dodikut i janë lënë 15 ditë afat për ta dorëzuar atë.

Në rast mosdorëzimi, pasaporta do të konsiderohet e pavlefshme dhe do të njoftohen autoritetet kufitare dhe përfaqësitë diplomatike të vendit. Ky vendim vjen pas një procesi ligjor që çoi në përfundimin e mandatit të tij si president i Republikës Serbe.

Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjë dhe Hercegovinës vendosi heqjen e mandatit të Dodikut, vendim që u konfirmua një ditë më parë edhe nga Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës, pasi avokatët e Dodikut kishin apeluar më parë.

Ish-presidentit të Republikës Serbe i është ndërprerë mandati për shkak të një dënimi të formës së prerë për moszbatim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në vend. Ai u dënua me një vit burg, të cilin e ka shmangur përmes pagesës së një shume monetare prej rreth 20 mijë euro, ndërsa iu ndalua pjesëmarrja në funksione politike për gjashtë vite. Si rezultat, ai tashmë ka humbur zyrtarisht funksionin e presidentit.

Dodik ka reaguar ndaj vendimit, duke e cilësuar atë politik dhe ka paralajmëruar se do të ndjekë rrugë të tjera ligjore për ta kundërshtuar.

Ndërkohë, autoritetet boshnjake e konsiderojnë vendimin si të plotfuqishëm dhe të zbatueshëm. Situata në Bosnjë-Hercegovinë mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek nga afër zhvillimet në vend.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›