E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganat evidentojnë 69,5 tonë kafe të munguar në një magazinë fiskale

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave kanë konstatuar mungesën e 69,5 tonëve kafe në ambientet e një magazine fiskale në qarkun e Durrësit, me detyrime akcize të papaguara dhe penalitete që arrijnë në total 17,8 milionë lekë.

Kontrolli u ushtrua nga strukturat e Drejtorisë së Kontrolleve të Akcizës, pranë Departamentit të Akcizës, bazuar në kriteret e riskut dhe në kuadër të zbatimit të ligjit nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, magazina fiskale ishte e pajisur me autorizim për prodhimin dhe përpunimin e produktit të akcizës “kafe”.

Gjatë kontrollit u konstatuan 69,5 tonë kafe mungesë në ambientet e operatorit ekonomik, për të cilat u evidentuan detyrime akcize të papaguara në vlerën 4,5 milionë lekë.

Ndërkohë, vlera e penaliteteve të llogaritura arrin në 13,3 milionë lekë. Në total, vlera e detyrimeve dhe penaliteteve të përllogaritura arrin në 17,8 milionë lekë.

Në vijim të këtij rasti, strukturat përgjegjëse të Administratës Doganore do të vijojnë procedurat përkatëse administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Kontrollet ndaj operatorëve ekonomikë vijojnë për garantimin e zbatimit të legjislacionit të akcizës dhe mbrojtjen e interesave financiare të shtetit.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është e angazhuar në forcimin e kontrolleve dhe zbatimin e ligjshmërisë, me synim parandalimin dhe evidentimin e shkeljeve, luftën kundër evazionit fiskal, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe mbrojtjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›