E Shtunë, 31 Tetor 2026

DokuFesti i Prizrenit fillon nga Tirana

DokuFesti i Prizrenit fillon nga Tirana. Festivali më i rëndësishëm i mbarë botës shqiptare sa më shumë zgjerohet aq e kthen fytyrën nga Shqipëria. Projeksionet nisin sonte nga “Marubi”.

Program me 250 filma nga e gjitha bota që me Fokus Nordik tërheq vëmendjen ndaj kinemasë së pesë shteteve skandinave, me 40 filma dhe takime me kineastë të kësaj hapësire.
E re për edicionin e 13 është programi me filma që kanë të bëjnë me filmat. një nga këta është realizimi i Marc Cousins “Fëmijët në film” që përfshin dy pjesë nga filmat e Xhanfize Kekos.
Ndërgjegjësimi për vlerat e medias kinematografike i ka shtyrë organziatorët të mendojnë për klasat e hapura edhe mbi kinemanë eksperimentale nga Jay Rosenblat apo të shfaqë metodën e analizimit të një kryevepre, “Shining” i Stanley Kubrick. Doku fest shfaq “Room 237”, dokumentar mbi një majë të thrillerit horror.

Ndër 106 filmat në konkurrim në kategoritë e filmit dokumentar, fikshën të shkurtër, në programin kombëtar marrin pjesë 13 filma të shkurtër, pjesëmarrja më e lartë në vite.

Nga bashkëpunimi me Arkivin Shqiptar të Filmit DokuFest i jep vend Nëntorit të Dytë. Dhe gjithnjë nga arkivat, është “Anija e ëmbël” e Danile Vicarit që merr pjesë në seksionin e filmit ballkanik, për të cilin një kontribut ka programuesja prej disa vitesh e Doku Festit, Pamela Cohen.

“Mendoj se janë disa arsyet që e bëjnë me interes këtë edicion. Puna e Vetonit që është shtrirë në një komunitet më të gjerë, vërtet që po shpërblehet. Sepse DokuFest është shënuar tashmë si destinacion për kinemanë ndërkombëtare, si një vend shumë ngacmues për kineastët nga bota që të tregojnë punën e tyre në këtë rajon. Është veçanërisht i tillë për dokumentarin, për dokumentarin në natyrë që është aq filmic apo për veprat eksperimentale. Është sfidë t’ia sjellësh audiencës këto, zëra të ndryshëm, histori dhe çështje parë në këndvështrime të reja. Dhe bëhet fjalë për një audiencë besnike gjithnjë në rritje, për t’i dhënë asaj diçka që nuk do kishte mundësi ta shihte gjëkundi tjetër.”

Netët në Prizren veç programit të festivalit me kinematë nën qiell të hapur mbi lum dhe në kala, kanë festat muzikore për të cilat festivali është po aq i dhënë për të tërhequr mijëra të rinj edhe nga Shqipëria.

Prizreni nuk ka vetë një kinema aktive. DokuFest mendon t’ia kthejë pas 15 vjetësh si investim i një grupi të vogël njerëzish që besojnë se arti është individual, por të mirat që sjell me vete janë edhe për ata që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me të.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›