E Martë, 3 Nëntor 2026

Dokumentet ‘tepër sekrete’ të Hamasit, terroristët synuan qëllimisht shkollat ​​fillore për të vrarë dhe marrë pengje

Dokumente të siguruara ekskluzivisht nga NBC News, tregojnë se Hamasi krijoi plane të detajuara, të cilat synonin shkollat ​​fillore dhe një qendër rinore në kibbutz izraelit të Kfar Sa’ad, për të “vrarë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur”, për të kapur pengje, si dhe për t’i zhvendosur shpejt në Rripin e Gazës.

Planet e sulmit, të cilat janë etiketuar si “tepër sekret” në arabisht, duket se janë urdhra për dy njësi të trajnuara të Hamasit për të rrethuar dhe depërtuar nëpër fshatrat, si dhe për të synuar vendet ku mblidhen civilët, përfshirë fëmijë. Autoritetet izraelite janë ende duke përcaktuar numrin e të vdekurve në Kfar Sa’ad.

Dokumentet u gjetën në trupat e terroristëve të Hamasit nga reaguesit e parë izraelitë dhe u ndanë me NBC News. Ato përfshijnë harta të detajuara, të cilat tregojnë se Hamasi synonte të vriste ose të merrte peng civilë dhe nxënës shkollash.

Një faqe e etiketuar “Tepër sekret” përshkruan një plan sulmi për Kfar Sa’ad, duke thënë se “njësia luftarake 1” synon “të marrë peng shkollën e re Da’at”, ndërsa “njësia luftarake 2” do të “mbledhë pengje”. Ata duhet të “kërkonin qendrën rinore Bnei Akiva”, si dhe ” shkollën e vjetër Da’at”.

Një faqe tjetër e emërtuar “Manovër Tepër Sekrete” përshkruan një plan për një njësi të Hamasit për të siguruar anën lindore të Kfar Sa’ad ndërsa një njësi e dytë do të kontrollonte perëndimin. Plani thotë “vrisni sa më shumë që të jetë e mundur” dhe “kapni pengje”. Urdhra të tjera përfshijnë rrethimin e një sallë ngrënieje dhe mbajtjen e pengjeve në të.

Plani i detajuar për të sulmuar Kfar Sa’ad është pjesë e një grumbulli dokumentesh që zyrtarët izraelitë po i analizojnë, sipas një burimi në ushtrinë izraelite dhe një në qeveri. Video survejimi i terroristëve të Hamasit duke hyrë në një kibuc më 7 tetor tregon taktika të ngjashme me ato të paraqitura në dokumentet e siguruara nga NBC News.

Zyrtarët izraelitë thanë se grupi më i gjerë i dokumenteve tregon se Hamasi kishte mbledhur sistematikisht informacione në çdo kibuc në kufi me Gazën dhe kishte krijuar plane specifike sulmi për çdo fshat që përfshinte shënjestrimin e qëllimshëm të grave dhe fëmijëve.

“Zyra dentare, supermarketi, salla e ngrënies,” tha një burim i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit. 

Plani i sulmeve të koordinuara bie ndesh me pretendimet e fundit të Hamasit se nuk ka vrarë fëmijë. Një video e publikuar nga Hamasi të premten tregoi terroristë të armatosur duke mbajtur dhe ushqyer fëmijët izraelitë të marrë peng, përfshirë foshnjat.

Dokumentet e Hamasit, pamjet e pasojave të masakrës dhe intervistat me dëshmitarët okularë dhe reaguesit e parë tregojnë një histori rrëqethëse.

“Unë pashë foshnja të vrara. Pashë fëmijë të vrarë. Pashë nëna dhe fëmijë të vrarë së bashku,” tha Yossi Landau, një komandant i ZAKA, një organizatë izraelite e reagimit të parë.

Kibbutz Kfar Aza ishte një nga vendet e goditura më keq në sulmin e paprecedentë terrorist mëngjesin e së shtunës, 7 tetor. Hartat e Hamasit të marra nga NBC Neës tregojnë rrathë blu rreth Kfar Sa’ad dhe tre fshatra të tjerë që gjithashtu kufizohen me Gazën: Kfar Aza, Nahal Oz dhe Alumim.

Sipas dokumenteve, dy njësi të Hamasit duhej t’i afroheshin Kfar Sa’ad-it veçmas nga dy pika të ndryshme grumbullimi. Gjithashtu përshkruan numrat dhe llojet e automjeteve që do të përdoren nga secili grup.

“Pika e montimit të Grupit 1: Transport HAMZA: një xhip dhe katër motoçikleta…

“Pika e montimit të grupit 2: ABDEL RAHMAN transporti: një xhip dhe katër motoçikleta.”

Gjithashtu u parashtrua saktësisht se si duhet të lëvizin automjetet në fshatrat e synuar:

“Gjatësia e togave: afërsisht 125 metra…

“Forma dhe gjatësia e secilit grup në motoçikleta: 50 metra për secilin grup.”

Një zyrtar i IDF, i cili nuk pranoi të identifikohej, tha se ishte i habitur nga shkalla e planifikimit që synonte sigurimin e viktimave maksimale civile. Ai tha, “Unë kurrë nuk kam parë këtë lloj planifikimi të detajuar” për një sulm masiv terrorist.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›