E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dorëheqja e Ermal Dredhës, Rama: U zbut më shumë se ç’duhet. Komision Etike në çdo bashki për të luftuar nepotizmin

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ngritjen e Komisioneve të Etikës në çdo bashki të vendit, me synim luftimin e nepotizmit në administratë dhe institucionet publike.

Rama tha se fenomeni i punësimeve përmes lidhjeve familjare nuk do të tolerohet më dhe deputetët që e ushqejnë këtë praktikë nuk do të jenë të mirëpritur në grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

“Do ngremë një Komision të Etikës në çdo bashki me deputetë të Partisë Socialiste dhe përfaqësues të Partisë Socialiste, që do të trajtojë një fenomen gërryes dhe të egër, atë të nepotizmit. Ky fenomen duhet luftuar duke filluar nga qendra dhe për pas në çdo bashki dhe ndërmarrje publike, lidhjet e gjakut në pozicionet drejtuese. Të zbusësh efektet e nepotizmit në administratën shqiptare është t’i hysh një rrjete më të shpifur se të merimangës dhe ne do i hyjmë kësaj përpjekjeje. Kjo bëhet për ata që na dhanë votën pa na njohur, por duke shpresuar që ne do i trajtojmë fëmijët e tyre në mënyrë të barabartë me tanët. Kush është bërë deputet për të rehatuar familjarët nuk do jetë më i mirëpritur në grupin parlamentar nëse do shfaqet si personazh nepotik i pakorrigjueshëm. Komisioni i Etikës do përcaktojë pikërisht këtë, çfarë është e mundur dhe çfarë jo. Nëse një deputetët i ka familjarët shumë të aftë, të lërë mandatin dhe të lejojë familjarët e tij të punësohen”, tha Rama.

Kryeministri solli si shembull situatën në Vlorë, duke komentuar dorëheqjen e kryebashkiakut Ermal Dredha. Sipas tij, problemi në këtë rast nuk lidhet me kryetarin e bashkisë, por me sjelljen e drejtuesve të institucioneve të tjera, të cilët ai i përshkroi si “një aradhe njerëzish pa fe, pa atdhe, pa din e iman”.

“Dua të nisem nga shembulli i Vlorës, nga gjithë sa pashë, dëgjova, kuptova dhe vajtova mbi situatën e qytetit, si dhe për shërbimin e drejtorive qendrore në atë territor. Vetëkënaqësi labe e mbingarkuar me re në pantallonat e pushtetit, dembelizëm dhe karshillëk ndaj popullit të Vlorës e një aradheje të tërë njerëzish pa fe, pa atdhe, pa din e iman me mandatin e drejtorit. Të tërë hipur mbi shpatullat e qeverisë, në kuptimin që qeveria investo në Vlorë dhe këta shkel mbi Vlorën hipur si pasagjerët e autobusit të kuq.

E gjithë kjo situatë do të ishte një gabim i madh sikur të lidhej me kryetarin e bashkisë i cili në të gjithë atë situatë është më i miri. Sepse në qoftë se lidhet me kryetarin e bashkisë atëherë bëjmë gabimin tjetër që ia lëmë vetëm Vlorës. Nuk është vetëm Vlora. Nuk është vetëm Vlora! Dhe dorëheqja e Ermalit sot pas bisedave që kemi bërë bashkërisht është treguesi i asaj që thashë: i një njeriu që e ndien, e do Vlorën dhe që i vetmi problem që ka është që, duke ndenjur për një kohë shumë të gjatë jashtë Vlorës, larg Vlorës, larg Shqipërisë si diplomat, u zbut më shumë se ç’duhet”, tha Rama.

Ish-kryebashkiaku i Vlorës nuk mungoi në Asamblenë që u mbajt në Tiranë. Dredha deklaroi para nisjes së punimeve se përkatësia e tij politike do të mbetet Partia Socialiste, pavarësisht aktit të dorëheqjes, që e quajt një “akt reflektimi”.

“Reflektimi nuk fillon para Asamblesë. Ka kohë që unë e mendoj për shumë arsye, arsye familjare, nuk diskutohet. Megjithatë dua të them se dashuria për Vlorën mbetet e para. Jam djalë Vlore, jam lindur në Vlorë. Është një dashuri e pashtershme. S’ka për të mbaruar kurrë. Unë do të vazhdoj të kontribuoj e të shërbej për Vlorën time,” deklaroi Dredha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›