Dorëheqja e Fation Veizajt nga PD e Vlorës, KQZ i jep mandatin e deputetit Gëzim Ademajt

KQZ i ka dhënë mandatin e deputetit të Partisë Demokratike për qarkun Vlorë, Gëzim Ademajt, pas dorëheqjes së Fation Veizajt më 16 janar.
Në mbledhjen e kësaj të premte (10 shkurt), KQZ ka miratuar projektvendimin “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kandidatit të listës shumemërore të koalicionit “Partia Demokratike – Aleanca për Ndryshime”, qarku Vlorë, Gëzim Nuri Ademaj.
Deputeti Veizaj dha dorëheqjen pas situatës në të cilën ndodhej Partia Demokratike e ndarë në dy grupime, atë të Sali Berishës dhe atë të Enkelejd Alibeajt.
“Kur pata nderin të zgjidhem deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Vlorës, nuk e kisha menduar kurrë përçarjen e demokratëve. Për fat të keq, prej një viti e gjysëm, Partia Demokratike nuk po ia del t’i japë fund përçarjes. As lidershipi dhe as deputetët e saj nuk po i përgjigjen interesit të demokratëve për ta bërë atë një forcë udhëheqëse, të respektueshme dhe fituese.
Duke refuzuar kategorikisht përjashtimet nga njëra anë, por dhe mënyrën e përdorur nga individë të caktuar në kërkim pushteti personal, pa respektuar dinjitetin e deputetëve të zgjedhur dhe me pasojë thellimin e përçarjes nga ana tjetër, kam vendosur të heq dorë nga mandati i deputetit”, shkruante Veizaj.
/rtsh.al/