E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëheqja e një burri shteti

27-06-2013 / Ilir Nikolla

Me dorëheqjen e tij, Sali Berisha vendosi standardin e reformatorit, duke fisnikëruar edhe më shumë një karrierë politike që ka shenjuar jo veç politikën moderne të Shqipërisë, por edhe historinë e afrimit të vendit me Perëndimin. Ai prej kohësh, me nismat e tij, i kishte tejkaluar bashkëkohësit, dhe dje erdhi prova e fundit, miratimi i TAP-it, një projekt për të cilin Berisha pat lobuar, edhe pse opozita e përqeshi. Dorëheqja nga kreu i PD-së është një luks i panevojshëm për një politikë që prej kohësh ka humbur aftësinë të na bëjë të ëndërrojmë, por publiku është i pafuqishëm përballë vendimit të një Burri Shteti

Atmosfera e lotëve ishte e pranishme mbrëmë jo veç tek simpatizantët në selinë e PS-së, por u pikas edhe tek moderatorët që po përcillnin fjalimin e kryeministrit Sali Berisha, edhe tek ata që kanë qenë veçanërisht kritikë për aksionin e tij politik. E megjithatë kishte një konsensus mbarëkombëtar mbrëmë, teksa konfirmohej fakti se po asistohej në dorëheqjen nga kreu i PD-së, jo veç e liderit historik të kësaj partie, por së pari tek fjalimi i dorëheqjes i një burri shteti.
Dorëheqja ishte lexim i verdiktit të 23 qershorit dhe u interpretua si një bilanc, por edhe si një frymëzim për anëtarësinë demokrate në të gjithë Shqipërinë. Sali Berisha e ka konfirmuar prej dekadash dashurinë e tij për reformat, për zhvillimin, për ndryshimin si e vetmja “perpetuum mobile” e karrierës së tij, si i vetmi aksion që mund t’i vijë në ndihmë një vendi të topitur nga diktatura komuniste. Në kërkesën e vitit të largët 1992 për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO gjendet nënshkrimi i presidentit të atëhershëm Sali Berisha, në marrëveshjen për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës gjendet firma e tij. Si një reformator i madh, ai shërbeu si lokomotivë e leksionit për t’i mësuar shqiptarët me ekonominë e tregut, me aspiratën e mirëqenies e me respektin për pronën. Në vitin e vështirë 1998, kur rebelimi bolshevik e kishte nxjerrë me dhunë nga pushteti, ai ideoi nismën përbashkuese “Një Komb - Një qëndrim”, e cila lartësoi shqiptarët para syve të të gjithë botës dhe për herë të parë (pas 1990), ngriti në piedestal krenarinë kombëtare të brezit të ri. I takon gjithashtu, atij edhe merita e krijimit të modelit të së parës opozitë demokratike, si një autoritet moral, e cila qëndronte përballë qeverisë, si një pasqyrë që e turpëronte çdo minutë, prej apatridllëkut të saj.
Pas 8 vitesh qeverisje, ku cilësia kryesore e lidershipit të Sali Berishës ishte ajo që të frymëzonte për ëndrra të reja, për projekte që e shndërrojnë Shqipërinë në një vend të zhvilluar. Miratimi i projektit TAP bash ditën kur kryetari i PD shpalli se do të jepte dorëheqjen ishte rastësia më fatlume për të konfirmuar se një Burrë Shteti është i tillë sepse përfaqëson kuintesencën e kombit, se i udhëheq ata në vështirësi, por edhe në përmbushje të ëndrrave e aspiratave të tyre. Provat e këtij lidershipi janë kudo, që nga ndërrimi i pamjes së fshatrave tona e deri tek ndërgjegjësimi se Shqiptaria është e vogël, për shkak se mund të udhëtojmë përmes saj vetëm brenda pak orësh. Ai i tejkaloi në mënyrë të vazhdueshme bashkëkohësit e tij dhe mjaftuan veç pak minuta nga dorëheqja për të perceptuar zbrazëtinë që po mbetej në spektrin politik. Në fakt duhet t’ia njohim Edi Ramës meritën se e lexoi që me 25 qershor faktin se Sali Berisha kishte vendin e merituar në histori dhe s’mundi të fshihte faktin se tashmë do të përballej me realitetin e të bërit politikë në një rrafsh më të ulët, e cila do ta pengojë fort në qeverisje. Kjo zbrazëti është një luks i tepërt për shqiptarët, është e panevojshme, por jemi të detyruar ta pranojmë, pasi dorëheqja e Sali Berishës është standardi i burrit të shtetit, dhe jo standardi i bashkëkohësve të tij që gjallojnë në Partinë Demokratike, në Partinë Socialiste e rëndom në politikën shqiptare.
Dje asistuam në dorëheqjen e një burri shteti, të parën në historinë e pluralizmit shqiptar. Është një standard që rivalët e tij që mbetën në politikë dhe morën qeverisjen, as guxojnë ta ëndërrojnë. E shumta që ata ëndërrojnë është loja e vogël për t’i shpëtuar vdekjes, siç guxoi të na rrëfente pasardhësi i Sali Berishës në qeveri, një shenjë se nganjëherë brenda ditës vijnë të dyja përjetimet, edhe akti historik, edhe shfaqja pasardhëse e karikaturës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›