Doshi sfidon ambasadoren amerikane, depoziton kërkesën për t’u regjistruar në KQZ

Partia Social Demokrate e Tom Doshit ka depozituar në KQZ kërkesën për tu regjistruar si pjesëmarrëse në zgjedhjet e 25 Prillit.
Kërkesa është depozituar në protokollin e KQZ pasditen e së martës ndërsa në ditët në vijim KQZ pritet të mblidhet për të shqyrtuar kërkesat e partive.
Afati për regjistrimin e partive është deri më 15 shkurt. Ndërsa deri ne 24 shkurt duhet te regjistrohen koalicionet dhe deri më datën 7 mars partitë duhet të çojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, listën me emrat e kandidatëve për deputet.
Kërkesa e Tom Doshit vjen pasi ai mban statusin e kryetarit të Partisë Socialdemokrate, dhe ka shpallur objektivin e tij për të marrë 4 mandate deputetësh në zgjedhjet e Prillit.
Pak ditë më parë ishte ambasadorja amerikane Yuri Kim ajo që deklaroi se Tom Doshi nuk duhet të marrë pjesë në zgjedhje, pasi sipas saj ka qenë subjekt i ligjit të dekriminalizmit dhe i është refuzuar viza amerikane duke e akuzuar për korrupsion. Ambasadorja Kim tha se Shqipëria meriton kandidatë më të mirë.