Dosja “5D”, Apeli lë në burg dy ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Gjykata e Posaçme e Apelit (GJKKO) ka lënë në fuqi vendimin “arrest me burg” për dy ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, Redi Mollën dhe Mariglen Qaton.
Dy ish-drejtorët akuzohen nga SPAK për shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim parash, lidhur me dosjen “5D”.
Ata u arrestuan në mars të vitit 2024, pas hetimeve nga SPAK të nisura që në 2023, ku u zbulua se Molla dhe Qato kanë favorizuar kompaninë e tyre “5D Konstruksion” në tenderat e dhënë nga Bashkia e Tiranës.
Sipas SPAK, Qato dhe Molla janë pronarë të vërtetë të kompanisë “5D Konstruksion”, që ka fituar 11 tendera nga Bashkia Tiranë gjatë periudhës 2016-2022 “në shkelje të rregullave të prokurimit publik”.
Zbardhja e kësaj dosje nga SPAK ka nxitur edhe reagimet e opozitës, e cila prej muajsh të tëra po zhvillon protesta para Bashkisë Tiranë, duke kërkuar shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
/rtsh.al/