Dosja “BANKERS”/ Lihet në burg drejtori kinez dhe ish-administratori Leonidha Çobo, zbuten masat për disa zyrtarë

Gjykata e Apelit la ne fuqi masën “arrest me burg” për ish-administratorin e “Bankers Petroleum”, Leonidha Çobo dhe drejtorin aktual kinez Hongping Xiao.
Ndërkohë nga 5 masa “arrest shtëpie”, togat e zeza kanë zbutur vendimin vetëm për një prej të dyshuarve duke caktuar “detyrim paaqitje” për shkak të rrethanave familjare, pasi është nënë e një femije 2-vjeç. Ndërkohë për 3 persona u hoq masa ndalim i daljes jashtë vendit duke lënë në fuqi vetëm detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
Seanca ndaj të akuzuarve për dosjen “Bankers” u zhvillua ditën e djeshme (5 Gusht), por vendimi u shty për ditën e sotme.
Sipas vendimit të APELIT :
Vijon masa arrest me burg për:
Leonidha Çobo
Hongping Xiao
Masa arrest në shtëpi:
Lianyi Wang
Ardit Kero
Flavia Capo
Kledi Xhani
Doina Goga, hiqet masa ‘arrestit në shtëpi’, caktohet ‘detyrim paraqitje’
Lihet në fuqi masa “detyrim paraqitje”, i hiqet masa “ndalim largimi jashtë vendi”:
Majlinda Thana
Matilda Ibraliu
Erton Ademaj
Hetimet
Kujtojme qe Prokuroria kishte lëshuar 14 masa sigurie për 14 persona dhe subjekte, në kuadër të hetimeve për “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nën akuzat për krijim skemash mashtruese në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), fshehje të të ardhurave, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe moskryerje detyrash nga organet tatimore.
Hetimi, i nisur në dhjetor 2024 pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe zhvilluar për gjashtë muaj me metoda proaktive, zbuloi se kompania ka deklaruar humbje të vazhdueshme për 20 vite, nga viti 2004 deri në fund të 2024-ës, duke shmangur pagesën e taksave dhe duke u përfituar rimbursime të paligjshme të TVSH-së në vlera miliona eurosh.