E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “Balluku” / Carlo Bollino përfitues i fondeve shtetërore, zbardhen pagesat me qindra milionë lekë nga ARRSH

Dosja “Balluku”, e publikuar pjesë-pjesë nga opozita, po nxjerr në dritë një rrjet emrash dhe kompanish që dyshohet se kanë përfituar fonde shtetërore, duke tronditur themelet e mazhorancës. Mes personave që rezulton të ketë përfituar nga skema e pagesave del edhe emri i botuesit Carlo Bollino.

Sipas komunikimeve të zbardhura në dosje, Carlo Bollino shfaqet si një figurë aktive që dërgon persona të tretë për të ndërmjetësuar pranë ministres Belinda Balluku dhe drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, për projekte dhe pagesa.

Në këtë pjesë të dosjes flitet qartë për shumat e përfituara nga ARRSH. Vetë Evis Berberi, në komunikimet e tij, pranon se janë paguar fillimisht 28 milionë lekë të rinj (280 milionë lekë të vjetra), më pas 3 milionë lekë të rinj (30 milionë lekë të vjetra), ndërsa në qershor parashikohej edhe dhënia e 39 milionë lekëve të rinj (390 milionë lekë të vjetra), si diferencë e mbetur.

Në komunikimet në WhatsApp mes Belinda Ballukut dhe Evis Berberit, të datës 17.03.2022, Balluku i përcjell Berberit një mesazh në italisht, ku shprehet pakënaqësia për mosrealizimin e marrëveshjeve të diskutuara më parë, si për projektet e vjetra ashtu edhe për ato të reja.

Pak minuta më pas, Berberi sqaron se projekti është pranuar në këshillin teknik dhe se pagesat janë shpërndarë në disa këste, duke konfirmuar shumat e përfituara. Ndërkohë, reagimi i Ballukut është edhe më i drejtpërdrejtë, ku ajo i kërkon Berberit të “thërrasë personin që e përfaqëson” dhe ta sqarojë situatën me Carlo Bollinon, duke i kërkuar që të mos komunikojë më drejtpërdrejt me ministren.

Në vijim të bisedës, vetë Berberi pranon se “është ky person që shtyn Carlon”, duke lënë të kuptohet qartë një zinxhir presioni dhe ndërmjetësimi për përfitimin e fondeve publike.

Këto komunikime, sipas opozitës, provojnë përfshirjen direkte të Carlo Bollinos në një skemë përfitimi me qindra milionë lekë nga ARRSH-ja, nën mbikëqyrjen e drejtuesve të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës.

Dosja “Balluku” pritet të sjellë zhvillime të tjera të forta, ndërsa presioni publik dhe politik për hetim të plotë nga SPAK po rritet ndjeshëm.

Komunikimet në WhatsApp mes Belinda Ballukut dhe Evis Berberit?

“Në datën 17.03.2022, në orën 17:45, shtetasja Belinda Balluku i përcjellë (farwarded) shtetasit Evis Berberi mesazhin “buonasera belinda, sento il dovere di informarti che nulla di quello che ci siamo detti e’ avvenuto. ne’ il vecchio (il cui valore e’ stato addirittura spalmato te “plani i likujdimi” nei prossimi tre anni!!!) ne’ il nuovo.”, si dhe i dërgon mesazhet “Merre zgjidhe kte Se sta kam fare po fare terezine”.

Në orën 17:52-17:53, Evis Berberi: “Ja kam pranuar projektin në këshill teknik ka marrë 28 mil të rinj nga 70 mil të rinj dhe pagesën e mbetur ja kam shtrirë në tre vjet tani do marrë 3 mil të rinj pasi kanë bërë një shpërndarje për të gjitha projektet dhe nëse duhet ja japim në qershor 39 mil të rinj që është diferenca. Për gjënë e re se di për çfarë flet Pasi skam diskutuar gjë tjetër me të.

Në orën 17:57-17:58, Belinda Balluku: “Therrite ate plehren qe e perfaqeson Dhe thuaji, kjo eshte skema, cfare halli ke, shko sqaro carlon thuaj mos shkruaj me tek min ose pastaj harroje bashkepunimin”. Në orën 17:58-18:00, Evis Berberi: “Ok Po është ky plehra që shtyn carlon se do jetë në hall.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›