E Martë, 3 Nëntor 2026

Dosja “Gjipeja”, Berisha sërish akuza ndaj kryeministrit Rama

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka formuluar të mërkurën sërish akuza ndaj kryeministrit sociaist Edi Rama lidhur me atë që kreu i opozitës e ka quajtur dosja “Gjipeja”.

Në një deklaratë për mediet nga banesa e tij ku ndodhet në “arrest shtëpie”, Berisha i kërkoi kryeministrit Rama të ”ndriçojë në mënyrë përfundimtare grabitjen e 224 mijë metër katror tokë nga Edi Rama, dhe familjarët tij Koleka”.

“Si ka mundësi që këto 224 mijë metër në Gjipe nuk ekzistonin të regjistruara në kadastrën e kohës së mbretërisë, kohës së pushtimit dhe as kohës së komunizmit, nga pronarët që shfaqen sot? Çfarë të lidh ty kryeministër, me një tokë e cila nuk ka qenë kurrë e regjistruar në kadastër si tokë e familjes tuaj dhe ju nuk keni asnjë dokument që të vërtetojë se regjimi komunist i Enver Hoxhës, e konfiskoi apo shpronësoi atë”, pyet ndër të tjera Berisha.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar më parë në lidhje me akuzat ku pretendohet se ai ka përfituar prona për vete dhe familjarët e tij në Himarë.

Kryeministri socialist është shprehur se po hidhet baltë mbi të dhe familjen e tij dhe shtoi se ata që akuzojnë, do jenë pjesë e padisë së radhës në gjyq. Sipas tij akuzat e opozitës janë “Përpjekja e dëshpëruar për të bërë një paralele të pamundur, mes pushtetit të përdorur për veten e për familjen dhe pushtetit të vënë në dispozicion të të gjithëve”. 

Akuzat e ish kryeministri Berisha vijnë ndërsa ai ndodhet prej afro 9 muajsh nën arrest shtëpije bashkë me dhëndërrin e tij si të implikuar në aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani, nën akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave. 

/ rtsh.al /

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›