Dosja I.M/ Gjykata e Tiranës pranon ankimimin e Metës! Vasili: U provua gjithçka kemi thënë

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka pranuar ankimimin e bërë nga Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta për çështjen e Autoritetit të Dosjeve. Lajmin e bëri me dije nënkryetari i Partisë së Lirisë Petrit Vasili i cili deklaroi para mediave se Gjykata ka rrëzuar vendimin e Prokurorisë për mos nisjen e hetimeve për çështjen I.M. Vasili i konsideroi veprimet e Prokurorisë si skandaloze, ndërsa vlerësoi vendimin e Gjykatës së Tiranës si mjaft të rëndësishëm.
“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka pranuar ankimimin e bërë nga avokati lidhur me çështjen e njohur për autoritetin e dosjeve. Një çështje skandaloze, ku gjykata pranon ankimin dhe rrëzon vendimin për mosfillimin e hetimeve për ccështjen ku Meta ngriti padi ndaj Autoritetit për veprime dhe mosveprime të rënda ligjore me regji politike. Ky vendim i rëndësishëm provon gjithçka ne kemi bërë publike kur paraqitëm ankimimin dhe arsyet konkrete.
Veprimet e prokurorisë ishin skandaloze sepse arriti deri aty sa nuk dëgjoi palën akuzuese dhe vendosi mosfillimin, pra u tha fajtorëve a keni faj ju dhe ata nuk thanë të kundërtën. Prokuroria vendosi në ato kohë të mos regjistronte procedim penal, duke mos marrë dokumente të rëndësishme që provonin qartë shpërdorimin e detyrës nga Autoriteti i Dosjeve. Njëkohësisht Prokuroria nuk verifikoi dhe deklaratat kontradiktore të bëra nga kryetarja e Autoritetit”, tha Vasili.
/rtsh.al/