E Martë, 3 Nëntor 2026

Dosja Partizani-Berisha kërkon kthimin në Kuvend, GJKKO vendos më 8 shkurt

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit do të vendosë më 8 shkurt lidhur me kërkesën e Sali Berishës për pjesëmarrjen e tij në seancat plenare. Ditën e sotme avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjezi paraqitën kërkesën e Berishës për lejimin e pjesëmarrjeve të tij në seancat plenare, por GJKKO vendosi ta shtyjë dhe të japë vendimin më 8 shkurt ora 14.30.

Vendimi për shtyrjen ndodhi pasi kërkesa për leje ishte firmosur nga e bija e Berishës, Argita Berisha, të cilën GJKKO nuk e njohu. Gjykata e Posaçme kërkon që kërkesën për lejimin në seancat plenare të jetë e firmosura nga vetë Sali Berisha

Avokatët mbrojtës kërkuan që të zhvillohej seanca dhe të pranohej dijenia e Sali Berishës për shqyrtimin në seancën e sotme, por kjo nuk u pranua nga GJKKO.

Avokati Genc Gjokutaj tha se seanca u zhvillua me 7 standarde dhe se kanë kërkuar sërish përjashtimin e gjyqtares së çështjes, Irena Gjoka.

“Seanca u shty për në datë 8, sot gjykata mori dhe kërkesën e katër për përjashtimin e gjyqtares së çështjes Irena Gjokës, ajo nuk dëgjon. Sot ishte një qëndrim jo më dy standarde, por i 7-fishtë”, tha Gjokutaj.

Berisha rrezikon të humbasë mandatin e deputetit nëse nuk paraqitet në seancat e Kuvendit për 6 muaj. Kjo kërkesë është paraqitur edhe më parë nga Sali Berisha, por nuk u lejua nga gjykata të merrte pjesë në seancat plenare.

Sali Berisha ndodhet në “arrest shtëpie” që prej 30 dhjetorit 2023, pasi po hetohet për çështjen “Partizani”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›