E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “Partizani”/ Kushtetuesja merr vendimin, pranon pjesërisht kërkesën e Berishës! E rikthen çështjen e masës së sigurisë në Gjykatën e Lartë

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht ankimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në këtë gjykatë, në lidhje me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” të vendosur nga GJKKO për dosjen “Partizani”.

Siç raporton gazetarja Anila Hoxha, vendimi është marrë me shumicë votash, pas shqyrtimit të kërkesës së Berishës për shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe Gjykatës së Lartë, të cilat ai i kishte kundërshtuar si të papajtueshme me Kushtetutën.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka vendosur shfuqizimin e vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të datës 22 prill 2025, si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Kujtojmë se një ditë më parë, tetë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese u mblodhën për të shqyrtuar kërkesën e Berishës lidhur me masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe pritej që gjykata të merrte një vendim për këtë çështje. Tani pritet edhe zbardhja e vendimit dhe argumentimi i tij nga Kushtetuesja.

Vendimi i sotëm lidhet me ankimin kushtetues të Berishës ndaj vendimeve të mëparshme gjyqësore, ndërsa çështja do të rishqyrtohet tashmë nga Gjykata e Lartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›