E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “Toyota Yaris”/ GJKKO kalon për gjykim dosjen e Astrit Vladit dhe Eriona Daupajt

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK për kalimin në gjykim të çështjes penale në ngarkim të shtetasve Astrit Vladi dhe Eriona Daupaj. Vendimi është marrë gjatë seancës paraprake të datës 25.06.2026.

Në njoftimin zyrtar sqarohet se trupi gjykues ka shqyrtuar procedimet e nisura që prej vitit të kaluar.

“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Paulin Çera, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin nr. 17/89, datë 25.06.2026, vendosi: 1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë. 2. Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimeve penale Nr. 26, datë 07.02.2024, në ngarkim të të pandehurve Astrit Vladi dhe Eriona Daupaj”, thuhet në njoftim.

Sipas dokumentit, i pandehuri Astrit Vladi do të përballet me akuzat për ndikim të paligjshëm dhe korrupsion në sistemin e drejtësisë.

“Astrit Vladi, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e kryer katër herë dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim”, sqaron vendimi.  

Ndërkaq, mbi të pandehurën Eriona Daupaj rëndojnë disa akuza, përfshirë zbulimin e të dhënave sekrete dhe korrupsionin pasiv.

“Eriona Daupaj, e akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer katër herë, e kryer në bashkëpunim dy herë; “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”; “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer dy herë”, thuhet në vendim.

Gjykata ka përcaktuar gjithashtu se hapi i radhës procedurial do të jetë caktimi i trupës që do të shqyrtojë çështjen në themel, ndërsa ka specifikuar se ky vendim është i pakontestueshëm.

“Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për t’u hedhur në short për gjykimin e themelit, e cila do të përbëhet nga tre gjyqtar. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.”, mbyllet njoftimi.

Dosja “Toyota Yaris” i referohet sekuestrimit të 3.4 milionë eurove të padeklaruara më 24 qershor 2018 në Portin e Durrësit. Paratë u gjetën të fshehura në automjetet e transportuara nga Belgjika me kamion. Çështja përfshin trafikun ndërkombëtar të parave, kalimin ilegal të kufirit dhe tentativat për korrupsion e ndikim të paligjshëm.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›