Dosja e “21 janarit”, Gjykata e Lartë vendos sot nëse do të kalojë apo jo në SPAK

Gjykata e Lartë në orën 13:00 do të mbajë seancën e paralajmëruar për dosjen e “21 janarit”, ku do të vendosë nëse do ta kalojë në Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion ose jo.
Kjo seancë vjen me kërkesë të familjarëve të Aleks Nikës, njërit prej katër viktimave të protestës së opozitës së asaj kohe, të cilët kërkojnë që dosja t’i kalojë SPAK-ut, pasi është institucioni që sipas tyre mund të japë drejtësi për vrasjen e familjarëve të tyre.
Kjo kërkesë do të shqyrtohet nga tri gjyqtarët: Ilir Panda, Sokol Bibaj dhe Sandër Simoni.
Përveç palës kërkuese, në seancë do të jenë edhe përfaqësues të SPAK, pasi nëse Gjykata e Lartë vendos dërgimin e çështjes në prokurorinë speciale, atëherë rrëzohen vendimet e mëparshme të dy shkallëve të gjyqësorit.
Nëse gjykata kalon çështjen në SPAK, atëherë prokuroria e Tiranës nuk do të mund të hetojë më këtë dosje, të cilën gjykata e Starsburgut e konsideroi dosje të një krimi shtetëror, i cili duhet zbardhur.
Sipas procedurave, nëse dosja kalon në SPAK, atëherë prokuroria e posaçme do të duhet të zbardhë akuzat për urdhërim të vrasjeve, prishje dhe devijim të hetimeve, pengim të drejtësisë nga zyrtarët më të lartë të qeverisë shqiptare të asaj kohe.
Gazetare: Flutura Tota