E Diel, 1 Nëntor 2026

Drafti për nxitjen e punësimit, krijohet pasaporta digjitale me të dhënat e punëkërkuesit

Ministria e Ekonomisë ka hartuar një projektligj i cili synon digjitalizimin në funksion të zgjerimit të mbështetjes për punëkërkuesit.

Drafti parashikon krijimin e një dokumenti elektronik i ashtuquajtur pasaporta digjitale, ku do të regjistrohen të dhënat mbi historikun profesional të  individit duke shmangur kërkesat për dokumente fizike.

“Një nga risitë më të rëndësishme të këtij projektligji është pasaporta dixhitale, e cila do të tregojë kualifikimet dhe aftësitë profesionale dhe punësimet në kohë të ndryshme që ka pasur secili individ. Pra, çdo punëdhënës do të ketë të drejtë të atashohet dhe të marrë informacionet e duhura nëse do të kërkojë një punëmarrës. Pra, çdo punëkërkues mund të publikojë të dhënat e tij online”, tha juristja Elona Berki.

Gjithashtu sipas projektligjit, kompanitë do të duhet të bëjnë publike edhe pagën përkrah vendit të lirë të punës.

“Risia e dytë e këtij projektligji është pasqyrimi i pagave, i fashës së pagës, që do të marrë secili individ për punën për të cilën ai do të aplikojë. Pra, para aplikimit, kjo do të jetë e publikuar online”, tha ajo.

Sistemi i ri  krijon gjithashtu strukturën ligjore për integrimin gradual të Shqipërisë në Rrjetin Europian të Punësimit, i cili lidh shërbimet e punësimit dhe informacionin mbi vendet e lira të punës në tregun europian.

Gazetar: H. Mahmutaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›