E Diel, 1 Nëntor 2026

Drafti për spiunët, sot flasin grupet e interesit

PD, negociata me PDK-në për një qëndrim të përbashkët. Nuk bihet dakord për strukturën që do verifikojë subjektet TIRANË- Partia Demokratike dhe ajo Socialiste vazhdojnë të jenë të ndara në qëndrimet e tyre lidhur me draftin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë që pritet të diskutohet sot në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Anëtari i Komisionit të Ligjeve, Aldo Bumçi, deklaroi dje se puna është lënë aty ku mbaroi sezoni i kaluar. “Në sezonin e kaluar nga takimet që kam pasur me Isarajn ka pasur mosmarrëveshje në dy pika që lidhen me ndërprerjen ose jo të mandatit për persona që janë të zgjedhur ose zyrtarë të lartë, kur rezultojnë të papajtueshëm me ligjin. PS është kundër ndërprerjes së këtij mandati, ndërsa PD për të kundërtën. E dyta ka të bëjë me personat që janë verifikuar më parë”,- tha Bumçi. Pikërisht, për të diskutuar mbi përmbajtjen e këtij drafti sot në Komisionin e Ligjeve janë ftuar edhe përfaqësues të grupeve të interesit. Bumçi u shpreh se shpresonte në arritjen e një qëndrimi të përbashkët pas diskutimeve. Në anën tjetër, Partia Demokratike ka kërkuar që drafti për spiunët të marrë, së pari, konsensusin e partive të djathta që janë në koalicionin qeverisës, e veçanërisht PDK-së, e cila është një ndër tre forcat politike që propozoi një draft të veçantë për këtë çështje. Dy ditë më parë, kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi dhe ai i PDK-së, Ndue Shpani, kanë zhvilluar një takim mes tyre, me qëllim daljen në një qëndrim të përbashkët sa i përket draftit për spiunët. E vetmja pikë për të cilën duket se ata nuk kanë rënë dakord është ajo që lidhet me përbërjen e strukturës që do të merret me verifikimin e figurës së zyrtarëve të lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›