Drejt Perëndimit apo drejt perëndimit të demokracisë?
Alternativa para votuesve më 23 qershor është: ose shkatërrimi përfundimtar i institucioneve demokratike dhe konsolidim i shtetit njëpartiak, ose shpëtimi i demokracisë! Paçka se nuk ka nevojë për shumë koment, le të japim disa fakte nga realiteti aktual i demokracisë së sotme në Shqipëri:
Një nga elementët bazë të një demokracie është pavarësia e tre pushteteve. Çdo shqiptar, pavarësisht përkatësisë partiake e nivelit intelektual, po ti ketë sytë të hapur, sheh që pushteti juridik, pushteti legjislativ e ai ekzekutiv janë absolutisht të varura nga partia në pushtet. Kryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht dhe Kryeministër, ka pushtet absolut mbi gjyqësorin, mbi parlamentin dhe mbi Presidentin.
Kuvendi Popullor i diktaturës komuniste pothuajse nuk ka asnjë ndryshim me legjislatorët e sotëm demokratë. Këta luajnë po të njëjtën rol që luanin kolegët e tyre komunistë: duartrokasin dhe aprovojnë 100% çdo ligj, qoftë edhe antikushtetues, siç janë shumë vendime të tyre. Sa për ilustrimin po përmendim vetëm vendimin e fundit antikushtetues mbi KQZ-në, këtë grusht shteti administrativ, siç e cilësoi edhe një ambasador amerikan.
Pozita e Presidentit të Republikës është shndërruar në një aneks të Ekzekutivit dhe detyra e vetme e tij është që firmosja e vulosja e çdo propozimi e vendimi që i vjen nga lart pa analizuar nëse është kushtetues apo jo.
Sistemi juridik gjatë këtyre tetë viteve të fundit është shkatërruar deri në atë shkallë sa ngjason plotësisht me gjyqet komuniste ku gjyqtarët para se të merrnin vendime, paraqiteshin në Komitet të Partisë ku u thuhej se çvendim duhet të merrni. Tani këtë punë e bëjnë në zyrat e Partisës Demokratike. Mund të vrasësh në mes të ditës 4 demonstrues dhe askush nuk dënohet. Në Gërdec vriten afro 30 veta e shkatërrohet jeta e dhjetëra njerëzve të tjerë dhe askush nuk dënohet. Një i varfër gjendet në autobus pa biletë dhe dënohet 6 muaj burg!(!!??) Ja ku është katandisur sistemi ynë i pa-varur gjyqësor!!!
Në një demokraci të vërtetë, shtypi është i lirë. Në Shqipërinë e sotme shtypi është po kaq i lirë sa ishte gjatë periudhës së socializmit, d.m.th-në i pranguar. Ato gazeta e stacione televizive që gjallojnë, vegjetojnë e lulëzojnë janë puthadorët e pushtetit: që nga TV shtetëror e deri tek gazetat e Bahri Fallive e kompani! Ashtu si në regjimin e Hoxhës, shtypi aktual është pjesë e propagandës së partisë në pushtet. Demokraci pa shtyp të lirë është një oksimoron.
Edhe shoqëritë civile janë kthyer në leva të parties për të edukuar popullin!
Kriteri i meritokracisë në emërime është zëvendësuar me besimin politik njësoj si në komunizëm. Pavarësisht se bëhet fjalë për roje shkolle a kryetar i Akademisë së Shkencave, zgjidhet më i devotshmi i partisë në pushtet.
Gjatë 40 vjetëve të diktaturës komuniste askush nuk paguante asgjë për të zënë një vend pune, ndërsa gjatë këtyre 8 viteve të kësaj demokracie të cunguar një universitar duhet të paguajë 3000 euro që të zërë një vend pune si mësues. Nëse në kohën e Enverit në çdo shkollë kishte një sekretar partie, atë punë sot edhe më zellshëm se atëhere e bëjnë drejtorët bolshevikë të partisë në pushtet.
Dhe kështu mund të vazhdonim të jepnim fakte pa fund.
Por le të ndalemi në dy-tre përqasime ndërmjet reagimeve të ndryshme që mbajnë ndaj padrejtësive popujt në demokracitë të vërteta nga populli shqiptar, që jeton në një demokraci të cunguar:
-SHBA, 3 mars 1991: policët pas një ndjekjeje të gjatë, arritën ta kapin qytetarit Rodney King, që po ngiste makinën mbi shpejtësinë e lejuar në rrugët e Los Angeles. Ngaqë ishte i pirë, ai nuk po u bindej policëve, të cilët filluan ta qëllojnë me shkopinj. Ky moment, përdorimi i një force të tepruar nga policia, u kap në video nga një qytetar i thjeshtë. Kjo video bëri që të katër policët të arrestohen, por fill pas një viti në burg, gjykata i nxori të pafajshëm në prill të vitit 1992. PIKËRISHT ky vendim i gjykatës nxiti revoltën e popullit. Los Angeles, për një javë u përfshi në një nga rebelimet më të mëdha në historinë e Amerikës. Si rezultat 55 veta u vranë, 2325 veta u plagosën, 1573 ndërtesa u dëmtuan apo u shkatërruan plotësisht. Vlera e përgjithshme e këtyre shkatërrimeve nga revoltat popullore arriti shumën 1.5 miliard dollarë. Kapja në video e ngjarjes ishte prova konkrete në duart e viktimës.
-Shqipëri, Gërdec 15 mars 2008: vriten afro 30 veta, spitalet mbushen me të gjymtuar të djegur. Reagimi i popullit si në kohën e Enverit. Heshtje!
-Angli 10 gusht 2011: vrasja e një riu nga policia u bë shkëndijë e një përplasje të jashtëzakonshme të popullit me policinë dhe si rezultat një shkatërrim i pabesueshëm.
-Shqipëri, 21 janar 2011: vriten në mes të ditës 4 demonstrues të pafajshëm e vrasësit shndërrohen në akuzues. Populli hesht përsëri! Edhe vendimi i Gjykatës së Tiranës për shpalljen të pafajshëm të tre të akuzuarve, nuk arriti të nxitë revoltën popullore. Në shoqëri demokratike do të reagonte populli kështu?!
-Turqi qershor 2013: protesta kundër projektit të qeverisë për të prerë pemët që ti hapej rruga një qendre tregtare në sheshin Taksim çoi në një përleshje të ashpër disaditore të popullit me policinë.
-Shqipëri: kryeqytet Luli, mbasi vrau 4 të pafajshëm, u akuzua për vjedhje të fondeve për rrugën, së fundi pret pemë, edhe pemë me vlera historike, majtas e djathtas… dhe populli hesht! Hesht! Hesht!
Por deri kur?!
Tani ka ardhur koha që ky popull të zgjohet. Dhe atë revoltën e tij ta tregojë me votën. Votimet e tanishme janë po aq të rëndësishme sa votimet që përmbysën diktaturën e vjetër. Gazetari i shquar i CNN-it, Fareed Zakaria, duke folur në programin e tij GPS para 3-4 ditëve tha që udhëheqësit e lëvizjeve demokratike nëse rrinë 7-8 vjet në pushtet bëhen arrogantë dhe nuk duan të largohen nga pushteti. Prandaj votuesit e 23 qershorit kanë në dorë që me votën e tyre të krijojnë një të ardhme më të mirë për vete dhe fëmijët e tyre. Dhe nëse mbas katër vitesh ndodh që pushtetarët e rinj si mbajnë premtimet, me vote të largohen menjëherë. Por edhe sikur mrekullira të bëjnë, mbas dy legjislaturave, të dalin në pension siç dalin liderit në vendet e vërteta demokratike.
