E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejt përfundimit rruga për në Manastirin e Athalit, më shumë akses për vizitorët dhe pelegrinët

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Rruga që lidh Himarën me Manastirin e Athalit, me gjatësi rreth 10 km, është drejt përfundimit, duke krijuar një akses më të lehtë drejt një prej objekteve të rëndësishme të trashëgimisë fetare dhe kulturore të zonës.

Kryetari i bashkisë Himarë, Vangjel Tavo tha sot se “në të gjithë gjatësinë e rrugës ka përfunduar shtresa e parë e asfaltit, ndërsa janë realizuar edhe infrastruktura mbrojtëse dhe sistemet e kullimit në të dyja anët e saj”.

“Kjo rrugë është një investim i bashkisë Himarë dhe ka rëndësi të veçantë për zhvillimin turistik dhe promovimin e trashëgimisë fetare e kulturore të zonës”, tha Tavo.

Sipas tij, rruga pritet të përfundojë plotësisht brenda vitit dhe është pjesë e investimeve të rëndësishme të bashkisë Himarë në zonat rurale të saj.

Manastiri i Athalit është një objekt kulti i shekullit XVIII, pjesë e trashëgimisë kulturore të Himarës dhe Shqipërisë. Ai është shndërruar tashmë në një destinacion pelegrinazhi për besimtarët ortodoksë dhe rruga e re do të mundësojë frekuentimin e tij më lehtë dhe më shpejt. /k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›