E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejt presidentit jokonsensual ose drejt kaosit (analizë)

Gazeta Shqip

GJERGJ EREBARA – Presioni i Bashkimit Europian dhe premtimi për statusin e vendit kandidat këtë vjeshtë, duket se nuk i bindi palët politike, veçanërisht maxhorancën, për të kryer bisedime dhe për ti dhënë vendit një president të gjithëpranuar, gjë që bën që ish-presidenti Alfred Moisiu të mbetet i vetmi në historinë e vendit që u bë president me mirëkuptim të gjerë.

Sot në Tiranë, një zyrtar i lartë i Komisionit Europian kreu bisedime me krerët dhe duket se nuk arriti të bindë askënd për përsëritjen e asaj që ndodhi në vitin 2002.

Ndërkohë, maxhoranca vendosi të afrojë raundin e tretë të votimit pa kandidat për president, një shenjë e qartë kjo e vendosmërisë për të djegur shansin e fundit kushtetues për president me konsensus të gjerë.

Ajo çfarë ndodhi gjatë muajve të fundit që i paraprinë procedurave për presidentin e ardhshëm, mund të përmblidhet pak a shumë kështu: Berisha dëshiron me çdo kusht një president të vetin. Analistët thonë se një president besnik mund ti japë një kryeprokuror besnik dhe rrjedhimisht, garanci që nuk do të përndiqet penalisht për historitë e pafundme të korrupsionit apo për vrasjet e 21 janarit. Aleati i tij Ilir Meta, po bën llogaritë për zgjedhjet e vitit 2013 dhe dha sinjale se do të dezertonte nga maxhoranca për tu bashkuar me opozitën. Partia Socialiste qe e paqartë se çfarë po kërkonte, por filloi të besojë për pak ditë se Meta do ta tradhtonte me të vërtetë Berishën dhe do ta zhyste vendin në zgjedhje të parakohshme, një palë zgjedhje që do të zhvilloheshin me Topallin si presidente dhe me të njëjtën KQZ.

Ndërkombëtarët, veçanërisht diplomatët e Bashkimit Europian, parapëlqenin një zgjidhje konsensuale, por Brukseli duket se ka humbur çdo mekanizëm të mundshëm presioni mbi qeverinë e Tiranës. Vizat, të cilat kanë qenë premtimi dhe kërcënimi i përhershëm për Tiranën gjatë dekadës së fundit, u hoqën vitin e kaluar. Fondet shtesë për zhvillim që shoqërojnë marrjen e statusit si vend kandidat për anëtarësim nuk kanë shumë ndikim politik mes shqiptarëve, pasi kuptohen nga një numër i kufizuar prej tyre.

Sipas të gjitha gjasave, vendi do të ketë një president jokonsensual pas një apo dy javësh ndërsa zgjedhjet e ardhshme mund të bëhen edhe më katrahurë se zgjedhjet lokale. Me ndarjen e forcave aktuale politike dhe pa asnjë sistem të vlefshëm për kontrollimin e procesit të numërimit të votave, ekziston frika që në zgjedhjet e ardhshme, komisionerët e PD-së të shtojnë me lopatë votat e hedhura në pirgun e LSI-së ndërsa komisionerët e PS-së përveç votave të veta do të numërojnë me korrektesë edhe ato të partisë së Topit.

Maxhoranca, jo për shkak të pëlqimit apo mospëlqimit popullor, do të ketë avantazhe të forta administrative në zgjedhjet e ardhshme. Duke qenë se kontrollon shumë prej komunave e bashkive të vogla, do ta ketë më të lehtë të mbushë kutitë me vota, nga ato lloj votash që njihen sot si Ruzhdijet. Për shkak se pushteti vendor de facto është menaxher i votave në shumë komuna, maxhoranca mund ta ketë më të lehtë.

Me sistemin aktual të proporcionalit rajonal, fituesi i zgjedhjeve të ardhshme do të jetë një kinder surprizë, e dimë që është një lodër, por nuk e dimë se çfarë forme do të ketë. Nëse një mrekulli nuk do të mbërrijë, shqiptarët do të kenë zgjedhje edhe më të këqija më 2013 nga sa patën në 2009 e 2005. Ëndrra për një vend normal me zgjedhje normale duket se ka për të mbetur edhe për shumë kohë vetëm ëndërr. 7 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)

Drejt presidentit jokonsensual ose drejt kaosit (analizë) burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›