E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Drejtësia po i shërben opozitës”, Beqiri: SPAK nuk duhet të bëhet vegël e një misionari të Serbisë

Mbledhja e Këshillit të Mandateve në kuvend për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit për numrin dy të qeverisë është shtyrë për një datë tjetër. 

Në mbledhjen e sotme, avokati i zv.kryeministres Balluku kërkoi më shumë kohë për njohjen me materialet e paraqitura nga SPAK. Organi i akuzës u përfaqësua në Këshill me kreun e SPAK Klodian Braho dhe dy prokuroret e çështjes, ndërsa zv.kryeministrja me avokatin e saj. 

Avokati i njohur Idajet Beqiri, i ftuar në emisionin “Tirana Live”, u shpreh se veprimet e SPAK janë të papranueshme dhe jashtë standardeve ligjore. 

Sipas tij, një pjesë e prokurorëve të SPAK po veprojnë në mënyrë të paskrupullt dhe po diskreditojnë sistemin e drejtësisë, duke i shërbyer interesave politike të opozitës. 

Në deklaratën e tij, Beqiri u shpreh se SPAK nuk duhet të kthehet në vegël politike në duart  e opozitës. 

Ai theksoi se drejtësia duhet të trajtojë çështjet madhore dhe përmendi ish-kryeministrin Sali Berisha, duke deklaruar se ky i fundit duhet të përgjigjet për ngjarjet e 21 janarit. 

Në fund, avokati Beqiri u shpreh se, sipas tij, procesi i integrimit evropian nuk mund të përmbyllet pa u mbyllur kapitujt e drejtësisë lidhur me çështjet e së kaluarës. Ai e konsideroi Sali Berishën si një “misionar”, që mbron interesat serbe në Shqipëri. 

“Janë çmenduri, janë akte të paskrupullta në çdo aspekt de këto tregojnë se sistemi i drejtësisë në këtë vend, një pjesë e prokurorëve të SPAK janë njerëz të cilët duan ta diskreditojnë ligjin dhe po i shërbejnë vetëm opozitës. 

Janë dhjetë mijë faqe, duan kohën e nevojshme për të shqyrtuar. Janë veprimet që bien erë të keqe dhe çdo ditë që kalon vërejmë se nuk është punë e pastër e SPAK. Proces të rregullt ligjor sipas standardeve evropiane absolutisht nuk ka. Pse duhen të dërgoheshin tre prokurorë, mjaftonte vetëm një. 

SPAK nuk duhet të bëhet vegël e një misionari të Serbisë. Pse kaq mobilizim i SPAK për të bërë tollovi me zv.kryeministren. Ai drejtësisë i druhet në një pikë. Krimet e tij janë nga më të rëndat, dhe dielli nuk mbulohet me shoshë. 

Ne kapitujt me Europën i kemi hapur, por ato nuk mbyllen pa u mbyll kapitulli Berisha. Ka bërë dëme të pallogaritshme. Ky vend ka dorën kriminale të Sali Berishës dhe e mban peng atë. Duhet të përgjigjet për 21 janarin.”, tha ai. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›