Drejtori i IKMT Korçë: Rreth 370 subjekte cenojnë sigurinë kombëtare në akset rrugore të qarkut

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit Korçë në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar ka ngritur grupet e punës për evidentimin e subjekteve që kanë zënë hapësira publike në mënyrë të paligjshme përgjatë akseve rrugore.
Drejtori rajonal i IKMT Korçë, Edi Bitri tha në një prononcim për mediet se, “nga monitorimet e deritanishme në terren janë evidentuar rreth 370 subjekte që kanë zënë hapësira publike në mënyrë të paligjshme, duke rrezikuar sigurinë rrugore dhe kombëtare”.
Sipas tij, bëhet fjalë kryesisht për rrethime banesash, tabela të karburanteve, si dhe biznese të ndryshme që merren me servise apo automjete të çmontuara, të cilat kanë pushtuar pjesë të rrugëve.
“Të gjitha subjektet janë paralajmëruar të marrin masa për çmontimin vullnetar të strukturave që kanë zënë hapësirat, dhe është vënë re një ndërgjegjësim në rritje nga ana e qytetarëve dhe bizneseve për të respektuar ligjin. Sipas direktivave të qeverisë, atyre u është lënë një afat deri më 31 korrik për të realizuar çmontimin vullnetar”, tha Bitri.
Ai shtoi se subjekteve u është lënë afat sipas direktivave të lëna nga qeveria për të liruar këto hapësira.
Prej fillimit të gushtit, ekipet e inspektimit kanë rifilluar monitorimet për të verifikuar nëse është nisur procesi i çmontimit.
“Në rastet kur nuk janë marrë masa, IKMT do të vijojë me penalitete, përfshirë gjoba dhe prishje me forcë të ndërtimeve apo strukturave të paligjshme”, tha Bitri.
Drejtori i IKMT Korçë informoi se deri tani nuk është vendosur asnjë masë administrative, pasi ekipet janë ende në terren dhe po monitorojnë situatën.
“Mungesa e fuqisë punëtore për ndërhyrjet ka sjellë vonesa të mundshme, por në rastet kur nuk është nisur asnjë veprim, do të merren masa sipas ligjit”, tha ai.
Bitri tha se “kryesisht janë rrethime të banesave, por edhe tabela karburantesh, servise të makinave që kanë edhe makina të çmontuara që kanë zënë rrugën, si dhe pika të përpunimit të mermereve, por këto të fundit janë të pakta”.
/k.s/r.e/