Drejtori i Policisë Proda viziton efektivin e djegur gjatë shpëtimit të jetëve në Delvinë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elton Alushi, vizitoi të premten në mbrëmje në Repartin e Djegieve në QSUT, Shefin e Komisariatit të Policisë Delvinë, Komisar Agim Trocin. Komisari Troci pësoi djegie të shumta gjatë përpjekjeve heroike për të shpëtuar disa të moshuar që ishin bllokuar në zonën e zjarrit në fshatin Vergo të Delvinës.
Drejtori Proda, i cili që në momentet e para u interesua për gjendjen e Komisar Trocit dhe ndoqi nga afër transportimin e tij me helikopter drejt Tiranës, shprehu mirënjohjen dhe përgëzoi shefin e komisariatit për aktin e tij të guximshëm dhe human.
Gjatë vizitës, ai u interesua pranë stafit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Trocit, duke i uruar shërim të shpejtë.
Nga QSUT, Drejtori Proda theksoi: “Shefi i Komisariatit Agim Troci është shembulli më i mirë i përkushtimit dhe sakrificës që mishëron një oficer i Policisë së Shtetit. Ai veproi me guxim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie, për të mbrojtur jetën e të tjerëve.”
Ai falënderoi dhe vlerësoi të gjithë punonjësit e Komisariatit të Policisë Delvinë, të cilët, nën drejtimin e Komisar Trocit dhe me mbështetjen e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar dhjetëra banorë, shumica të moshuar, nga flakët e zjarrit të madh të favorizuar nga era. Nënkomisar Eridioni, i cili ka pësuar asfiksi dhe po merr ndihmë mjekësore në Spitalin e Delvinës, si dhe disa punonjës të tjerë, janë gjithashtu ndër ata që janë lënduar gjatë këtij operacioni shpëtimi.
“Ky akt është një shembull frymëzues i përkushtimit dhe humanizmit të efektivëve në krye të detyrës,” përfundoi Drejtori Proda.
Situata në zonën e zjarrit dhe apeli i Policisë
Në zonën e përfshirë nga zjarri, në fshatrat Senicë, Vergo dhe Kopaçëz, vijon ndërhyrja intensive e shërbimeve të Zjarrfikëses, Emergjencës Civile, Policisë dhe Ushtrisë. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Elidon Çela, ndodhet në zonë për menaxhimin e situatës dhe neutralizimin e vatrave, si dhe garantimin e sigurisë së banorëve.
Policia e Shtetit thekson se është në krah të qytetarëve dhe apeloi për kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë lëvizjes në zonat me bimësi të dendur dhe të ekspozuara ndaj zjarreve. Çdo veprim i pakujdesshëm, si ndezja e zjarrit në natyrë, hedhja e cigareve apo djegia e mbeturinave, mund të sjellë pasoja të rënda për jetën dhe mjedisin.
Në fund, Policia bëri të ditur se po bashkëpunon me banorët dhe të gjitha instancat e tjera shtetërore për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë ligjore autorët e zjarrvënieve në disa rrethe të vendit, ku në disa raste tashmë janë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë.
/rtsh.al/
/rtsh.al/