Drejtuesit e teknologjisë kërkojnë frenim, Trump ‘sfidë’ Kinës: Kush fiton në AI, fiton

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka kundërshtuar publikisht idenë për ngadalësimin e zhvillimit të modeleve më të avancuara të Inteligjencës Artificiale, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk mund të lejojnë që Kina të fitojë avantazh në këtë garë teknologjike.
“Kryesojmë ndaj Kinës në AI. Jemi vendi më i avancuar në botë dhe dua që të vazhdojmë të jemi të tillë, sepse kush fiton në AI, fiton”, deklaroi Trump të dielën.
Qëndrimi i presidentit amerikan vjen pas thirrjeve të disa prej drejtuesve më të rëndësishëm të industrisë së teknologjisë për më shumë kujdes në zhvillimin e sistemeve të fuqishme të AI-së.Drejtuesi i Anthropic, Dario Amodei, ka argumentuar se ritmi i përmirësimit të aftësive të modeleve duhet të ngadalësohet. Edhe drejtuesi i OpenAI, Sam Altman, ka shprehur mbështetje për masa që do të ndihmonin në kontrollin e ritmit të zhvillimit. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Elon Musk, i cili ka deklaruar shkurt: “Dario ka të drejtë”.
Trump, megjithatë, ka bërë të qartë se nuk mbështet frenimin e zhvillimit të teknologjisë. Sipas tij, mund të vendosen masa sigurie për përdorimin e AI-së, por pa rrezikuar pozicionin e SHBA-së në përballjen teknologjike me Kinën.Debati është shtrirë edhe në Kongresin amerikan. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ka deklaruar se Inteligjenca Artificiale ka nevojë për masa sigurie, por paralajmëroi se Kongresi duhet të shmangë veprimet e nxituara që mund të dobësojnë avantazhin amerikan ndaj Kinës.