Dritan Rexhepi dëshmon në gjyq, trafikanti i kokainës mohon të ketë urdhëruar rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës

Për herë të parë që kur u ekstradua nga Stambolli, Dritan Rexhepi, një nga emrat më të njohur të trafikt të drogës, dëshmoi në Gjykatën e Posaçme për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës. Ai mohoi përfshirjen e tij në ngjarjen e vitit 2020, ndërsa thotë se është informuar nga mediat.
Dritan Rexhepi: Në fundin e vitit 2019 kam qenë jashtë Shqipërisë. Kam qenë në burg në Ekuador, kam qenë i dënuar 13 vite për trafik droge. Ju do me pyesni për çështjen apo do me bëni gjyq moral? Kisha 5 vite e 4 muaj që vuaja dënimin. Nga burgimi nuk kam bërë asnjë lloj bashkëpunimi për të dhënë para lidhur me trafikun e drogës. Në fund të vitit 2019 nuk kisha informacion për vjedhjen e nje sasie droge në portin Portsmouth të Londrës. E mora vesh nga mediat në Shqipëri. Kam dëgjuar nga familjarët e mi që në Shqipëri akuzohesha për diçka qe kishte ndodhur në Shqipëri. Nga familjarët mora vesh qe akuzohesha për një rrëmbim të një personi që ishte zhdukur. Tentova të merrja informacion në prokurori përmes nje familjari tim, nuk mora dot.
Ai kërkoi të përballet me vëllain e viktimës, Ndrek Prenga.
Dritan Rexhepi: Pse nuk i nxirni, kur thuhet që ka përgjime mes meje dhe familjarëve të viktimës. Ju keni hipur në trenin e gabuar dhe kërkoni të shkoni atje ku doni ju. Nuk jam unë personi. Ka ardhur dhe vetë vëllai i viktimës ketu dhe ka thënë këto fjalë. Doni ta bëni përballje mes meje dhe tij, nuk kam kundërshtime. Apo ta bëjmë me foto? E bëjmë. Unë nuk i njoh ata persona. Unë mbaj përgjigjesi çfarë bëj unë, jo ç’thonë ta tjerët. Nuk keni bërë asnje lloj procedure. Pse nuk keni bërë? Nuk kam të drejta unë në këtë shtet? Më thanë për Jani Prengën, familjarët e mi, burri motrës time Dorjan Velaj. Ai takoi një gazetar te prokuroria, dhe une fola me gazetarin përmes kunatit tim. Përmes avokatit tim me vinin gazetat e fotokopjuara.
Ndërkohë prokurorja Elida Kaçkini paraqiti prova të reja, komunikime mes Altin Hajrit, pronarit të kompleksit Golden ku u rrëmbye Jan Prenga dhe Dritan Rexhepit të bëra në SkyECC, që gjykata i pranoi. Në 7 maj, pritet të dëshmojë edhe i pandehurit tjetër, Aldo Majnishta./vizionplus.tv