Droga dërgohej me kontejnerë nga Amerika e Jugut në portet italiane, SPAK jep detaje nga operacioni Shqipëri- Itali: Si u kapën 2 ton kokainë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë detaje në lidhje me operacionin Shqipëri-Itali, gjatë të cilit u caktuan masa sigurie për 25 persona, dy prej të cilëve në Shqipri.
Juljan Kollçaku dhe Maksim Ndoci janë arrestuar dhe priten të ekstradohen në Itali.
SPAK bën me dije se hetimet kanë nisur në vitin 2021. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore të krijuar me autoritetet gjyqësore italiane, konkretisht me Degën Rajonale të Prokurorisë Antimafia, Firence, Itali.
Në datën 5 nëntor 2024 u realizua një operacion i përbashkët ndërkombëtar me pjesëmarrjen edhe të Eurojust dhe u ekzekutua vendimi për caktimin e masave të sigurimit nga Gjykata e Hetimeve Paraprake të Gjykatës së Firences, për subjekte të krimit të organizuar me shtetësi shqiptare, italiane, rumune, etj.
Në total u arrestuan 23 persona në Itali (Toskanë, Kalabri, Lazio, Puglia, Campania, Lombardi, Veneto, Liguria) dhe 2 persona në Shqipëri.
Si nisën hetimet
Hetimet ndaj rrjetit kriminal shqiptar u iniciuan nga Prokuroria e Firences në Itali, në vitin 2021. Po atë vit, u krijua ekipi i parë i përbashkët hetimor (JIT) mes autoriteteve italiane dhe shqiptare. Hetimet u mbështetën nga përgjimet e shkëmbimeve të informacionit mes organizatave kriminale, të cilat përdornin mjetin e komunikimit të koduar, SkyECC.
Si funksiononte grupi kriminal
Grupi i strukturuar kriminal ishte aktiv si furnizues me shumicë i drogës në tregjet italiane. Dërgesat e drogës dërgoheshin nga Amerika e Jugut në kontejnerë, përmes porteve italiane (Livorno, Genova dhe Savona) dhe në vende të tjera evropiane. Kontejnerët ruheshin në portet e mbërritjes, ku ekipet e posaçme kujdeseshin për rikuperimin e lëndës narkotike dhe nxjerrjen e dërgesave nga zonat portuale, për t’i vënë më pas në dispozicion të grupeve kriminale.
Për të lehtësuar operacionet e identifikimit dhe gjetjes së kokainës, grupi i strukturuar kriminal përdorte pajisje radiolokalizimi, ndërsa lënda fshihej brenda kontejnerëve të ngarkuar me mbulesë frutash ekzotike ose në hapësirat e posaçme të krijuara për këtë qëllim.
Çfarë u sekuestrua
Nga hetimet e kryera është bërë e mundur kapja e mbi 2 ton kokainë, 45 kg hashash, 20 kg marijuana, nga e cila, grupi kriminal do të kishte përfituar rreth 70 milionë euro, si edhe arrestimi në flagrancë i tre prej anëtarëve të këtij grupimi.
Në datë 05.11.2024, me autorizim të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nën drejtimin e Prokurorisë e Posaçme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka organizuar punën me skuadra, ku bënin pjesë dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, përfaqësues të Zyrës së Ekspertit të Sigurisë në Ambasadën Italiane në Tiranë, përfaqësues të Guardia di Finaza Itali dhe realizoi kryerjen e kontrollit të 18 banesave të personave të dyshuar, një pjesë e mirë rezidentë në Itali por dhe me banim në Shqipëri.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit arrestoi dy nga pjesëmarrësit në këtë grup të sktrukturuar kriminal, shtetasit Juljan Kollçaku dhe Maksim Ndoci si dhe gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 20 000 euro, 52 ora të markave të ndryshme si psh. Rolex etj, 1 automjet tip Audi RSQ8 i viti 2020 si dhe 3 celularë, ku 2 prejt tyre G Pixel, një armë zjarri pistoletë beretë me 15 fishekë, 3 celularë dhe pajisje të tjera.
Operacione të ngjashme janë duke u zhvilluar në Francë, Rumani dhe në vende të tjera të përfshirë./vizionplus.tv