Dronët ukrainas sulm në Rusi, vritet një person dhe një depozitë nafte përfshihet nga flakët

Një person u vra, ndërsa dy nënstacione të energjisë elektrike dhe një depo nafte u përfshinë nga flakët, pasi Ukraina lëshoi dhjetëra dronë në disa rajone të Rusisë, njoftuan zyrtarët rusë. Sistemet ruse të mbrojtjes ajrore shkatërruan 38 drone, duke përfshirë 21 mbi rajonin jugor të Rostovit dhe shtatë mbi Kursk, të dyja zonat kufizohen me Ukrainën, tha ministria ruse e Mbrojtjes.
Guvernatori rajonal i Volgogradit tha se nënstacioni elektrik dhe depoja e naftës morën flakë nga rënia e mbetjeve të dronëve të shkatërruar nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore. “Zjarri i nënstacionit u shua menjëherë, por zjarrfikësit ende po luftonin me zjarrin në depon e naftës. Nuk ka të lënduar si rezultat i sulmit”- tha ai duke shtuar se flakët nuk paraqesin kërcënim për banesat. Një person humbi jetën, dy të tjerë u plagosën dhe disa shtëpi u dëmtuan gjatë natës në rajonin e Belgorodit në kufi me Ukrainën, tha guvernatori rajonal.
“Një zjarr shpërtheu në një nënstacion energjie në Rostov, pasi Ukraina lëshoi “dhjetëra dronë gjatë natës”,- tha guvernatori i rajonit rus, duke shtuar se zjarri ishte shuar. Sulmet erdhën pasi Rusia goditi spitalin kryesor të fëmijëve në Kiev, ndërsa lëshoi raketa në të gjithë Ukrainën, duke vrarë të paktën 41 civilë në valën më vdekjeprurëse të sulmeve ajrore në muajt e fundit. Më herët presidenti i Ukrainës Zelenski u zotua se Kievi do të hakmerrej për sulmin ndaj spitalit pediatrik në Kiev.
/RTSH/