E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dropulli çel sezonin turistik, prezantohen 11 bujtina dhe 5 hotele

Ceremonia e çeljes së sezonit turistik në Dropull përbën gjithmonë një eveniment festiv për komunitetin e kësaj njësie vendore.

Sivjet u përzgjodh sheshi para vatrës së kulturës në fshatin Grapsh të njësisë administrative Dropull i Poshtëm për të zhvilluar aktivitetin me një dekor të thjeshtë, por me shumë ngjyra tradite.

Drejtuesit vendorë në këtë ceremoni i mëshuan prezantimit të kapaciteteve të hotelerisë në Dropull dhe Pogon, me 11 bujtina dhe 5 hotele.

Thanas Naka ishte nga të parët që ngriti bujtinën e tij në Poliçan të Pogonit.

“Kemi nja pesë vjet që kemi dy bujtina në Poliçan. E shfrytëzojmë për turizmin. Turistët na vijnë nga të gjitha vendet,” thotë z. Naka.

Një nga bujtinat më të reja është ajo e zonjës Ana Bollo Çobani në fshatin Goricë të Dropullit të Poshtëm.

“Ndërtimet për bujtinën kanë filluar para pesë muajsh dhe tani kemi një muaj që e kemi hapur. Vizitorët kanë ngelur shumë të kënaqur nga pamja në fshat, nga gatimet…” tregon znj. Çobani.

Promovimi i kulinarisë, i projekteve të realizuara dhe të fituara nga fondet e Bashkimit Europian, si dhe veshjet tradicionale së bashku me muzikën popullore, i dhanë ngjyra festive ceremonisë së zhvilluar nën diell të fortë dhe me temperatura shumë të larta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›