E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dua Lipa merr shtetësinë e Kosovës, Osmani: Krenare me ty!

Presidentja, Vjosa Osmani me dekret presidencial i dha shtetësinë e Republikës së Kosovës, këngëtares me famë botërore Dua Lipa.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore u prit nga kryetarja e shtetit, e cila e cilësoi Dua Lipën si një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e Kosovës.

Përmes një mesazhi në Facebook, ku ka ndarë edhe momente nga dorëzimi i dekretit presidencial, Osmani theksoi se vendi do të jetë gjithmonë krenar me artisten.

“Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me arritjet e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit. Mirënjohja jonë është e pafund për gjithçka që Dua ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën, për rininë tonë, për artin tonë dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit tonë”, shkruhet në mesazhin e presidentes Osmani.

Lipa po qëndron në Kosovë ku do të marrë pjesë në “Sunny Hill Festival”, ku ajo do të interpretojë në natën e parë të festivalit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›