E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Duam drejtësi evropiane, jo ruse”, Rama pas masave në UBT: Pa ne s’do kishte as SPAK as hetime VIP

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka dëgjuar sot rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku pas 24 masave të lëshuara nga SPAK për anëtarët e stafit të universitetit ditën e djeshme.

Në fjalën e tij, Sallaku tha se nuk komentojnë drejtësinë, por beson te një proces i ndershëm, duke thënë se stafi ka nisur betejën ligjore dhe uron që të faktojnë se kanë zbatuar ligjin. Vetë Rama këto masa sigurie, një ditë më parë i quajti masa pa gjyq.

Ndërsa në fjalën e tij në Kryesinë e Kuvendit ditën e sotme, Rama përsëriti sërish qëndrimin e tij pse po luftojnë për një drejtësi të pavarur dhe evropiane. Pa PS dhe shumicën qeverisëse, theksoi Rama, SPAK dhe institucionet e reja të drejtësisë nuk do të ekzistonin.

Edi Rama: Ne kërkojmë një drejtësi të pavarur dhe evropiane. Nuk e di pse flasin për strategji elektorale. Ne nuk kemi asnjë strategji elektorale për të minuar asnjë hetim. As rektori nuk u ftua për të ngriur flamurin e pafajësisë për 24 persona që janë marrë me masë sigurie pa gjyq. As ne nuk kemi marrë përsipër në asnjë rast që të themi cili është i fajshëm dhe cili jo. Asnjë nuk konkurron dot në asnjë formë me këtë parti, me këtë forcë politike, me këtë mazhorancë qeverisëse për sa i përket luftës për të pasur një drejtësi të pavarur dhe të drejtë.

Po mos ishte kjo parti, nuk do shikonin kurrë hetime VIP në Shqipëri, nuk do shikonin kurrë një forcë politike në pushtet e cila vullnetarisht ka tërhequr duart komplet nga kontrolli i pushtetit të drejtësisë. Ne nuk mund të rrimë sot pa folur dhe duhet të përgatitetni që të dëgjoni gjithmonë më shumë nga ne. Tani që Reformën në Drejtësi, SPAK dhe Gjykatën Speciale, që i ngritëm ne dhe i kanë marrë të tjerët në birësim pas pilafit, ne kemi hyrë në fazën e dytë. Faza e dytë është drejtësi evropiane jo drejtësi ruse. Pavarësisa është kushti i parë. Profesionalizmi dhe standardet evropiane  janë dy kushte të tjera të panegociueshmë./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›