E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duetet historike shqiptare

“Teksti... muzika... orkestroi.... këndon...” Ka qenë kjo formula refren në çdo festival të këngës në RTSH. Në çdo fundvit, për 51vite me radhë njëri pas tjetrit.

Çdo këngë ka qenë refren i jetës dhe përjetimeve të përditshme. Janë të shumtë ata që me nostalgji kujtojnë vargjet e tyre të preferuara që iu janë gdhendur prej vitesh në kujtesë.

Vaçe Zela, Tonin Tërshana, por edhe shumë tjerë kanë ndërtuar historinë e muzikës së lehtë shqiptare, kurse ata vetë janë shndërruar në ikona të muzikës që sot i kujtojmë me nostalgji e jo rrallëherë i dëgjojmë në shtëpi, në makinë apo edhe diku në një klub me miqtë.

Duetet janë një nga pikat më të forta të festivaleve që janë pëlqyer e duartrokitur vit pas viti nga publiku, madje edhe janë vlerësuar me çmime të para.

“Çel si gonxhe dashuria” është një nga këngët pjesëmarrëse të festivalit të 23-të të këngës. Gëzim Çela dhe Nertila Koka kanë arritur të rrëmbejnë vendin e parë në këtë festival.
/>
“Nuk e harroj” ka qenë një nga këngët më të bukura të dashurisë dhe simbol i lidhjes së shumë çifteve të atyre viteve. Dueti i motrave Libohova në 1987-ën është pëlqyer dhe është vlerësuar me çmimin e parë.
/>
Në festivalin e 45-të, Frederik dhe Aida Ndoci kanë fituar vendin e parë me “Baladën e Gurit”.
/>
“Identitet” është kënga fituese e festivalit të 51-të nga Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko. Është një nga duetet më të pëlqyera dhe më të diskutuara që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision”.
/>
Ka edhe shumë duete të tjera të vlerësuara nga publiku artdashës i viteve ‘80-’90, por edhe shumë i pëlqyer nga brezi i sotëm. Sipas TCH, duket e çuditshme që të rinjtë e adhurojnë këtë lloj muzike dhe ndoshta e vlerësojnë edhe më shumë sesa vetë prindërit e tyre që e kanë jetuar atë periudhë.

Liljana Kondakçi dhe Luan Zhegu kanë pasur shumë duete. “Si zogj me cicërima” është këngë e vitit 1984, e cila është shndërruar edhe në refrenin e filmit shqiptar “Kur po xhirohej një film”./Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›