E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka: E ardhmja e Sylvinhos vendoset para qershorit

TIRANË, 17 prill /ATSH/ – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, deklaroi sot se e ardhmja e trajnerit të Kombëtares, Sylvinho, do të vendoset përpara ndeshjeve miqësore të muajit qershor, ndërsa vlerësoi paraqitjet e ekipit si ndër më të mirat në histori.

Në një konferencë për mediet, Duka theksoi se ka zhvilluar bisedime me trajnerin pas ndeshjeve të fundit, duke i lënë atij hapësirën për të vendosur mbi vazhdimësinë.

“Sylvinho duhet të vlerësojë vetë nëse ka energjinë dhe motivimin për të vijuar drejtimin e ekipit. Nga ana jonë, e konsiderojmë rrugëtimin pozitiv dhe jemi të hapur për bashkëpunim, por gjithçka do të vendoset para miqësoreve të qershorit, edhe në varësi të kushteve ekonomike”, u shpreh Duka.

Kreu i FSHF-së nënvizoi se fushata kualifikuese për UEFA Euro 2024 dhe ajo për Kupën e Botës 2026 përbëjnë rezultatet më të mira historike të Kombëtares shqiptare, pavarësisht se objektivi i kualifikimit në Botëror nuk u arrit.

Në lidhje me alternativat e mundshme, Duka kujtoi se në të kaluarën i është ofruar drejtimi i ekipit edhe trajnerit shqiptar Besnik Hasi, i cili nuk e pranoi për shkak të një oferte nga klubi belg RSC Anderlecht.

Sa i përket kalendarit të ardhshëm, Kombëtarja shqiptare pritet të zhvillojë dy ndeshje miqësore në Tiranë gjatë muajit qershor, ku një kundërshtar i konfirmuar është përfaqësuesja e Luksemburgut, ndërsa vijojnë kontaktet me Kilin dhe Danimarkën.

Në konferencë, Duka u ndal edhe te çështjet financiare të futbollit shqiptar, duke theksuar nevojën për miratimin e Ligjit të Sponsorizimit.

“Pa mbështetje financiare, zhvillimi i futbollit mbetet i vështirë. Ligji i Sponsorizimit është thelbësor për të nxitur investimet dhe për të mbështetur sportin”, deklaroi ai.

Në vijim, Duka konfirmoi se formati i kampionatit “Abissnet Superiore” do të mbetet me 10 skuadra, ndërsa sistemi “Final 4” do të vijojë të aplikohet, duke synuar rritjen e konkurrencës në elitën e futbollit shqiptar.

1 nga 4

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›