E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka: I fuqishëm dhe në opozitë me 10 mijë vota, u vlerësova padrejtësisht nga Rama

TIRANË- Deputeti i zgjedhur në qarkun e Durrësit, nën siglën e PR-së, Agron Duka i ftuar në rubrikën “Opinion” në TvNews24, gjatë një bashkëbisedimi me gazetaren Nisida Tufa konfirmoi se do ti qëndrojë pozicionit të tij në opozitë deri në fund të mandatit, edhe nëse do të ketë ftesa për bashkëpunim.

“Unë e shoh vetën në opozitë, dhe mora mandatin si i djathtë, kjo pyetje më bëhej dhe në takime elektorale dhe unë jam përgjigjur njëlloj, pavarësisht se sjellja ime me njërëzit do jetë siç ka qenë, si me të majtët dhe të djathtët. mandati im do jetë djathtas. Jam besnik i ideve të mija, nuk qëllon që të luaj ndryshe. Unë kështu e përceptoj. Në rast se për një arsye në të ardhmen kam konflikte, ose nëse e majta ka zhvillime pozitive për të ardhmen e kombit, mund të rishoh mundësinë vetëm pas mandatit. Njeriu e gjen veten mirë aty ku vlerësohet mirë, unë ndjehem mirë dhe kam marrëdhënie të mirë me anëtarë e PR si dhe liderët e PD”, deklaroi Duka, duke shprehur entuziazmin se 10 500 votat e marra në zgjedhjet e 23 qershorit, tejkaluan parashikimin e tij.

Duka komentoi dhe marrëdhëniet me kolegët e tij socialistë dhe kryesocialistin Edi Rama. Duka i cilësoi marrëdhëniet e rregullta me Ramën pavarësisht ‘pakënaqësisë’ për përjashtimin nga listat e PS-së, teksa shtoi se priste një urim nga ana e tij për rezultatin e arritur.

“Sic ju thashë ka qenë një periudhë qetësie. PS dhe LSI janë marrë me formimin e qeverisë. Kam marrëdhënie të mira me të gjithë deputetët e PS, me Ramën kam marrëdhënie të rregullta, por s’kemi pasur komunikim telefonik apo takime direkte. Unë mendoj se u vlerësova padrejtësisht nga ai. Prisja një urim, pasi urimi i takon 10 mijë e 500 njerëzve. Secili në krahun e tij ka pasur të drejtë ai fitoi në aleancë me LSI, më një numër më të vogël se në 2009, por nga krahu tjetër dhe unë fitova. Se kush nga ne pati të drejtë në qarkun e Durrësit i takon së ardhmes. Nuk kam kontakte dhe nuk kam pasur asnjë ftesë, por dhe po të kisha preferoj të qëndroj në opozitë pasi ndjehem mirë me kolegët e mi dhe kryetarin e PR dhe PD”, tha Duka.

Duka komentoi edhe zhvillimet më të fundit politike në vend, teksa shprehu rezervat për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, ai preferoi të mos paragjykojë pa parë punën e 100 ditëve të para. Ndërkohë, sa i takon godinës së re të PD, Duka tha se “nuk ka asgjë të keqe, megjithëse nuk e njoh problemin thellë. Mediat thanë se ka pasur konflikt prone, por nëse prona ka qenë e braktisur nuk ka gjë të keqe”.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›