E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka: Polonia, kundërshtar i fortë

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, tha sot pas shortit të “play off” për Botërorin 2026, se Polonia është kundërshtar i vështirë, por Shqipëria do i luajë shanset në Varshavë.

Kreu i futbollit në vend, u shpreh se dëshironte të shmangte çiftin e parë, ku bënin pjesë Italisë dhe Uellsi.

“Çifti i parë nuk më pëlqente, nëse do të binim ndaj Uellsit dhe më pas ndaj Italisë. Isha i kënaqur që eliminuam të parën. Para shortit nuk kisha ndonjë preferencë, të gjitha janë të forta. Si u krijua shorti, doja të eliminonim çiftin e Italisë dhe Uellsit. Jam i buzëqeshur sepse jemi këtu. Dua të falënderoj të gjithë që na sollën këtu. Stafin e Kombëtares me futbollistët. Uroj të na bëjnë më krenarë.

“Polonia është kundërshtar i fortë, të gjithë janë të fortë. Ne i kemi mundësitë tonë dhe do të provojmë të gjitha në Varshavë. Ndeshjet e futbollit nuk fitohen dhe nuk humben në short, Unë dhe stafi ishim të mërzitur në shortin e kualifikueseve dhe doli pozitiv. Ndeshjet luhen në fushë. Atë e kanë në dorë futbollistët. Urojmë t’i kemi gati në mars. Të provojmë pa pasur asnjë pishman.

“Nëse do kisha një preferencë, do të dëshiroja Sllovakinë. Uellsin nuk e doja fare. Nuk jemi përshtatur mirë ndaj skuadrave britanike”, tha ai.

I pyetur për përballjen e Kosovës me Sllovakinë, Duka theksoi se “dardanët” i kanë mundësitë të për kaluar në Botëror.

“Kosova është një ekip shumë i mirë. Është në moment të mirë. Uroj të vazhdojë kështu deri në mars. I ka mundësitë të kalojë Sllovakinë. I ka mundësitë për të luajtur finalen në Prishtinë. Ka një ekip të mirë dhe i ka shanset të shkojë në Botëror”, u shpreh Duka.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›